Kriza klimatike ka qenë në krye të pothuajse çdo agjende politike dhe sociale gjatë kohëve të fundit e sytë e botës kanë qenë drejt Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike ( Cop26 ) që u zhvillua në Glasgow. Por, teksa liderët botërorë arritën në angazhimet, premtimet dhe marrëveshjet për të trajtuar çështjen urgjente të ngrohjes globale, vëmendja është kthyer drejt ndryshimeve të sjelljes që publiku i gjerë mund të përshtatë për të ndihmuar mjedisin.
Këshilltari kryesor shkencor i Mbretërisë së Bashkuar, Patrick Vallance, theksoi rëndësinë e ndryshimeve të sjelljes si pjesë e veprimit klimatik gjatë samitit. Ai tha se, ndërsa shumica prej nesh supozojnë se bërja e zgjedhjeve më të gjelbra do të thotë ndryshime dramatike në zakonet tona të përditshme, shumica e këtyre ndryshimeve janë më të lehta nga sa mendojmë.
“Unë mendoj se ndryshimi i sjelljes po fillon. A është ende aty ku duhet? Ndoshta jo dhe mendoj se ka më shumë për të bërë,” shpjegoi Vallance.
Një studim i ri ka zbuluar se rreth gjysma e popullsisë së botës duhet të bëjë më shumë për të trajtuar krizën klimatike. Ai tha se burrat, në veçanti, duhet të jenë më të gatshëm për të ndryshuar zakonet e tyre për t’u bërë më miqësorë me mjedisin. Raporti nga grupi i ekspertëve “Global Future” kompani analitike zbuloi gjithashtu se shumë më shumë gra përjetojnë nivele të larta të ankthit ekologjik në krahasim me burrat, me 45 për qind të grave që raportojnë se ndjehen të shqetësuara për krizën klimatike krahasuar me 36 për qind të burrave.
Zakonet e shpenzimeve të meshkujve dhe femrave tregojnë gjithashtu një ndarje në reagimin tonë ndaj ngrohjes globale. Raporti i “Global Future”, i titulluar ” Një krizë e përbashkët “, zbuloi se rreth 40 për qind e të anketuarve femra thonë se kanë ndryshuar mënyrën se si blejnë dhe hanë ushqim për të ndihmuar në luftimin e ndryshimeve klimatike.

Në të kundërt, vetëm 27 për qind e të anketuarve meshkuj raportuan se bënin të njëjtën gjë. Shifrat janë të ngjashme kur bëhet fjalë për blerjen e rrobave, me pothuajse 34 për qind të të anketuarve femra që thonë se kanë ndryshuar zakonet e tyre krahasuar me 16 për qind të të anketuarve meshkuj. Por çfarë fshihet pas hezitimit të meshkujve për të ndryshuar zakonet e tyre të përditshme në mënyrë që të bëhen pjesë e veprimit klimatik? Dhe më e rëndësishmja, çfarë mund të bëhet për t’i inkurajuar ata të jenë më proaktivë në drejtësinë klimatike?
Zgjidhja duhet të jetë e nuancuar dhe nuk është aq e thjeshtë sa të vendosësh fajin drejtpërdrejt mbi supet e burrave. Në fakt, ekspertët thonë se kjo do të ishte kundër produktive.
Katrien Van der Heyden, një eksperte gjinore e specializuar në sjelljen e meshkujve dhe ndryshimet klimatike, thotë se burrat që janë tradicional kanë më shumë gjasa të mos ndërmarrin veprime mbi planetin.
“Problemi nuk është te meshkujt e tillë. Ne kemi shumë aleatë meshkuj që janë të gatshëm të bëjnë pjesën e tyre. Në vend të kësaj, shkaku kryesor është patriarkalizmi”, thotë ekspertja.
Sipas Van der Heyden, burrat që pajtohen me këtë ide shpesh besojnë se të qenit i kujdesshëm barazohet me të qenit femëror – dhe se “burrat e vërtetë” nuk janë kështu.
“Ky grup beson se roli i burrit është të mbledhë pasuri të bëjë ekonomitë të rriten, por në kuptimin më të keq të mundshëm. Në shumë kultura, ky lloj maskiliteti ende promovohet gjerësisht tek djemtë. Shohim që burrat që ndjekin këtë metodë janë shumë më pak të prirur të kujdesen për klimën dhe të bëjnë pjesën e tyre për të shëruar Tokën”, shton ajo.
Megjithatë, John Barry, një psikolog në Qendrën për Psikologjinë Mashkullore në Britani paralajmëron se inkuadrimi i hezitimit të disa burrave për të marrë pjesë në veprimet klimatike mund t’i bëjë ata të injorojnë këtë proces.
Barry thotë se burrat priren të anojnë drejt veprimeve që ofrojnë rezultate menjëherë të prekshme.
Ai thotë se rasti për emergjencën klimatike nuk është bërë “sa duhet i fortë”, përndryshe “të gjithë do të nxitonin”. Kjo është jehonë në rezultatet e një sondazhi të kryer nga “Kantar Public” njw tjetwr kompani analitike e cila zbuloi se, megjithëse shumica e njerëzve – burra dhe gra – janë të alarmuar nga kriza klimatike, pak janë të gatshëm të bëjnë ndryshime të rëndësishme në stilin e jetës. Sondazhi i 10 vendeve, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, zbuloi se 62 për qind e njerëzve e shihnin krizën si sfidën kryesore mjedisore me të cilën përballej njerëzimi, por pothuajse gjysma e 46 për qind besonin se nuk kishte nevojë reale që ata të ndryshojnë zakonet e tyre personale.
Megjithatë, ka ende një nevojë urgjente për udhëheqësit dhe organizatat e klimës që të angazhojnë burrat në ndërmarrjen e veprimeve për të shpëtuar mjedisin.
Van der Heyden thotë se më shumë iniciativa janë të nevojshme për të nxitur bisedat dhe për të gjetur zgjidhje se si të përfshihen më shumë burra në veprimet klimatike. Ajo thotë se burrat që dëshirojnë të ndërmarrin veprime për krizën klimatike shpesh nuk kanë një model, kështu që nuk e kuptojnë se çfarë mund të bëjnë për t’u kujdesur për planetin.
“Dikush duhet t’i tregojë atyre rrugën e duhur dhe do ta bëjnë,” shtoi ajo.
Burimi:The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



