Rreth një në dhjetë gra në mbarë botën vuajnë nga endometrioza. Gjendja karakterizohet nga dhimbje kronike të legenit, e cila nuk është vetëm jashtëzakonisht e dhimbshme, por gjithashtu mund të rezultojë në infertilitet. Shkaktohet nga indi që i ngjan shtresës së brendshme të mitrës (i njohur si endometrium) që rritet jashtë mitrës. Aktualisht nuk ka kurë për endometriozën. Dhe megjithëse ka trajtime të disponueshme për menaxhimin e simptomave dhe dhimbjes, këto shpesh kanë efektivitet të kufizuar me disa prova që tregojnë se 11% dhe 19% e grave nuk kanë reduktim të dhimbjes së tyre.
Shumica e trajtimeve aktuale të dhimbjes për endometriozën janë fokusuar në synimin e asaj që njihet si “dhimbje nociceptive”. Kjo është dhimbje që shoqërohet me dëmtim të mundshëm ose aktual të indeve. Në përgjithësi, dhimbja nociceptive u përgjigjet mirë qetësuesve standardë, kështu që shumica e trajtimeve të endometriozës përmbajnë ibuprofen ose paracetamol. Por duke pasur parasysh se vetëm disa gra me endometriozë i përgjigjen këtyre llojeve të trajtimeve të dhimbjes, studiuesit tani kanë filluar të hetojnë një lloj tjetër trajtimi të bazuar në atë që quhet dhimbje neuropatike. Kjo është dhimbje që ndodh për shkak të dëmtimit të vetë nervave dhe shpesh nuk i përgjigjet qetësuesve si ibuprofeni. Kushtet e dhimbjes neuropatike mund të shkaktojnë shqetësime të mëdha psikologjike dhe dhimbje të forta. Ekspertët në studime të ndryshme janë shprehur se duhet të kuptojmë nëse dhimbja neuropatike mund të shpjegonte pse disa gra nuk po i përgjigjeshin trajtimeve tradicionale të dhimbjes së endometriozës.
Dhimbje nervore
Deri kohët e fundit, asnjë hulumtim nuk kishte shqyrtuar nëse njerëzit me endometriozë kanë vërtet dhimbje neuropatike. Sipas studiuesve në universitetin e Harvardit ka disa teori pse të sëmurët mund të përjetojnë këtë lloj dhimbjeje. E para, pjesët e indeve që fillojnë të rriten jashtë mitrës të quajtura “lezionet endometriotike” kanë nerva të rinj brenda tyre. Këto nerva të rinj mund të jenë më të ndjeshëm, ose mund të shtypen nga inde të tjera, të cilat të dyja mund të shkaktojnë dhimbje neuropatike. Ekspertët shkruajnë se mënyra e vetme përfundimtare për të diagnostikuar endometriozën është përmes laparoskopisë (ku një kamerë e vogël futet në legen përmes një prerjeje të vogël në kërthizën). Kjo natyrisht përfshin prerjen e nervave, të cilat mund të çojnë në dhimbje neuropatike pas operacionit. Ne një anketë në internet rreth 1,417 gra kishin që raportuar se vuanin nga endometrioza.
“Ne përdorëm një mjet kontrolli për dhimbjen neuropatike të quajtur painDETECT, i cili përbëhet nga nëntë pyetje që shtrojnë në lidhje me karakteristikat e dhimbjes. Ai gjithashtu pyet se si dhimbja ndryshon me kalimin e kohës dhe nëse ajo rrezaton në zona të tjera të trupit. Në varësi të përgjigjeve që dhanë të anketuarit ne ishim në gjendje t’i kategorizonim njerëzit në dhimbje nociceptive ose dhimbje neuropatike ose një përzierje e të dyjave,”shkruan Rob Reddick zhvilluesi i anketës.

Sipas tij të dhënat zbuluan se 40% e të anketuarve kishin dhimbje neuropatike. 35% e tjerë kishin një përzierje të dhimbjes neuropatike dhe nociceptive.
“Nga përgjigjet u zbulua gjithashtu se ata me dhimbje neuropatike përjetojnë dhimbje më të mëdha në përgjithësi (si gjatë periudhës së tyre, gjatë ciklit menstrual ose gjatë seksit), ankth dhe depresion më të madh dhe lodhje më të madhe dhe mosfunksionim njohës (siç është vështirësia në të menduarit dhe të kujtuarit e gjërave),”shtoi Reddick.
Zbulimi në lidhje me prevalencën e dhimbjes neuropatike thekson rëndësinë e hetimit se si të trajtohet dhe menaxhohet dhimbja e kësaj sëmundje.
“Por ajo që nuk mund të themi nga studimi ynë është se çfarë po e shkakton këtë dhimbje neuropatike dhe nëse operacioni i përsëritur për pacientët është i dobishëm apo i dëmshëm,” shtoi zhvilluesi i anketës.
Ai shton se në vijim, do të jetë e rëndësishme të kryhen studime për të diagnostikuar më mirë dhimbjen neuropatike dhe për të parë se si përjetohet nga personi në person, gjë që mund t’i ndihmojë ata të përcaktojnë mekanizmat themelorë të dhimbjes në endometriozë.
“Në fund të fundit, sa më mirë t’i kuptojmë këto mekanizma, aq më mirë do të jemi në gjendje të zhvillojmë ilaçe për të trajtuar dhimbjen e endometriozës. Mund të jetë gjithashtu me vlerë të hetohet nëse trajtimet për gjendje të tjera të dhimbjes neuropatike të tilla si nevralgjia postherpetike, një ndërlikim i herpesit që shkakton dhimbje djegëse, funksionojnë po aq mirë edhe për njerëzit me endometriozë,”thotë më tej Reddick.
Burimi:The Conversation/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje