Pagjumësia, së bashku me hipertensionin dhe pirjen e duhanit, mund të jetë një faktor rreziku për një aneurizëm të trurit. Shkencëtarët e Shoqatës Amerikane të Zemrës arritën në këtë përfundim me një studim të botuar në “Journal of the American Heart Association”.
Më shumë se 3% e popullsisë së rritur në mbarë botën ka një keqformim të enëve të gjakut intrakranial të njohur si aneurizëm. Rreth 2.5% e këtyre aneurizmave çahen duke shkaktuar hemorragji. Meqenëse kjo është një situatë që haset rrallë është jetike të identifikohen faktorët e rrezikut që mund të ndihmojnë në parandalimin e tij. Ekipi më pas analizoi një sërë elementësh duke përfshirë duhanin, gjumin, konsumimin e kafesë, aktivitetin fizik, peshën, nivelet e glukozës në gjak, presioni i gjakut, kolesteroli, inflamacioni kronik dhe funksionin e veshkave.
Për të vlerësuar lidhjet gjenetike midis faktorëve të rrezikut kardiometabolik dhe stilit të jetesës, u përdorën të dhëna nga disa studime që përputhen në nivelin gjenomik. Për të qenë të saktë, informacioni gjenetik nga një meta-analizë e kryer nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gjenetikës në Britani u përdor për të identifikuar afro 6300 raste të aneurizmës intrakraniale dhe afro 4200 raste të hemorragjisë pas një këputjeje të aneurizmës. Këto ngjarje u krahasuan me mbi 59,500 kontrolle me qëllim përcaktimin e predispozicionit gjenetik ndaj këtij keqformimi.
Sipas analizës, një predispozicion gjenetik për pagjumësi u shoqërua me një rritje prej 24% të rrezikut të aneurizmës dhe hemorragjisë. Mundësia e një aneurizmi ishte afërsisht 3 herë më e madhe tek duhanpirësit. Një tjetër faktor i rëndësishëm i njohur ishte rritja e presionit diastolik të gjakut. Në të kundërt, nivelet e larta të triglicerideve dhe një indeks i lartë i masës trupore nuk kanë treguar një rrezik të shtuar të aneurizmës dhe këputjes së saj. Lidhja midis keqformimit dhe pagjumësisë nuk është raportuar kurrë më parë dhe rezultatet duhet të konfirmohen nga studimet e ardhshme. Në vitin 2016, një deklaratë shkencore nga Shoqata Amerikane e Zemrës zbuloi se shqetësimet e gjumit dhe pushimi i pamjaftueshëm shoqërohen me një probabilitet më të lartë të zhvillimit të hipertensionit.
Burimi: Il Giornale/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje