Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dalë sot në një konferencë shtypi, ku ka folur për shumë tema, duke nisur nga çështja e trajnerit të Kombëtares, Edi Reja, të cilin e ka konfirmuar për të paktën edhe për një vit. Kreu i futbollit shqiptar ka folur edhe për infrastrukturën, rikandidimin në postin që mban dhe pritshmëritë për ekipin kombëtar.
“Kombëtarja ka grumbulluar 18 pikë, si asnjëherë tjetër, ka bërë paraqitje pozitive. Reja ka rinovuar ekipin, që është premtues për të ardhmen. Trajneri dhe stafi teknik, për mendimin tim, kanë bërë një punë të kënaqshme dhe e kanë arritur objektivin. Është luftuar për të qenë në Botëror, ishim shumë afër, por ndaj Polonisë nuk kishim fat, kishim mungesa dhe nuk arritëm në Play-off.
Vlerësimet janë subjektive dhe nga 1 te 10, do t’i vendosja notën 8. Reja është kryetrajner, por ka dhe një staf që punon në departamentet e FSHF-së. Më 16 dhjetor hidhet shorti i Ligës së Kombeve, ndërsa kontrata e e trajnerit përfundon në nëntor. Duhet të dimë që kontrata është një marrëdhënie e dyanshme. Ndoshta vetë Reja gjatë kësaj kohe mund të thotë se nuk do të vazhdojë më, por kemi kohë deri atëherë të diskutojmë me qetësi.
Reja e ka ndihmuar Kombëtaren gjatë kësaj periudhë, kur ka grumbulluar 18 pikë, ka marrë vendin e tretë në grup dhe ka fituar Ligën e Kombeve, duke kaluar nga Liga C në Ligën B, por ka prodhuar edhe më shumë futboll, i ka kënaqur tifozët. U mërzitëm me humbjen me Poloninë, por të gjithë mendojnë se nuk e meritonim. Reja është i madh në moshë, por nga mënyra si mendon për të ardhmen është shumë i zoti.
Për kualifikimin në Europian gjërat janë ndryshe, mundësitë janë më të mëdha, sepse janë 24 skuadra që marrin pjes, dyfishi i Botërorit. Ne kemi një skuadër të mirë dhe është plotësisht e mundur që të shkojmë në Europian. Kemi lojtarë me kualitet dhe ndoshta edhe dy lojtarë nga Shpresat janë gati të kalojnë në Kombëtare për ato role, k mund të kemi më shumë nevojë”, – theksoi Duka
Për çështjën e Armando Brojës, ai sqaroi: “Broja nuk ishte prezent në ndeshjen me Anglinë, sepse ishte i dëmtuar. Iu bashkua ekipit në Londër dhe bëri stërvitje individuale, por nuk luajti për dyshimin si ai ndihej. Janë individët që blejnë grupin dhe duhet t’i menaxhosh sa më mirë. Pas ndeshjes Broja ka kërkuar të rikuperohej te Sauthemptoni dhe kjo është e gjitha.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




