E ardhmja e Tomas Strakoshës, portierit të Kombëtares, duket se do të jetë në Premier Ligë. Emri i tij ka dalë në listën e merkatos së klubit të Njukastëllit, që sapo është blerë nga një fond arab, kështu që për anën financiare nuk do të jetë shumë problem.
Lajmin e bën të ditur prestigjiozja “The Times”. Në artikullin e saj përmenden tre emra si përforcime të mundshme të Njukastëllit, konkretisht dy lojtarët e Interit Stefan De Vrij dhe Marselo Brozoviç, si dhe portieri shqiptar i Lacios, Tomas Strakosha. “Gardiani” kuqezi është në fund kontrate me Lacion dhe largimi i tij duket plotësisht i mundshëm në verë, por ndoshta mund të ketë ndonjë lëvizje që në janar, nga e cila mund të përfitojë edhe klubi italian.

Vetë Strakosha, titullar në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares me Anglinë dhe Andorrën, ka folur me diplomaci për të ardhmen, duke pohuar se ka kohë dhe se është i përqendruar te Lacio, por sigurisht që qëndrimi në stol te kjo skuadër nuk e kënaq aspak portierin kuqezi.
Emri i Strakoshës është lakuar edhe më parë për një kalim të mundshëm në Premier Ligë, konkretisht te Liverpuli dhe Totenhemi. Po ashtu, për portierin shqiptar ka pasur edhe sirena gjermane në të kaluarën. Premier Liga është një nga kampionatet më të mira për momentin dhe kjo mund ta joshë Strakoshën për të qenë pjesë e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




