Kombëtarja U-21 merr një shuplakë të fortë edhe nga Kosova, në një ndeshje ku mendohej se kuqezinjtë kishin shanse të mëdha për fitore dhe për t’iu afruar ndjeshëm kreut të grupit. Fusha në “Fadil Vokrri” ka folur ndryshe dhe në fund fitorja u ka buzëqeshur kosovarëve.
Trajneri Alban Bushi pak ditë më parë foli plot besim për objektivin e vendit të dytë, por pas dy humbjeve radhazi ai rrezikon shumë edhe vendin e tretë. Disfata e sotme ka vërtetuar se ajo ishte një deklaratë euforike, që duket se i ka bërë keq skuadrës tonë.
Karrica shënoi i pari në këtë ndeshje pak pas fillimit të pjesës së dytë, por avantazhi zgjati vetëm 8 minuta, sepse Kosova barazoi me Krasniqin. Trajneri Bushi bëri të pesta ndërrimet që kishte në dispozicion në 20 minutat e fundit, megjithatë Shqipëria jo vetëm që nuk mundi të shënonte, por pësoi edhe golin e dytë në shtesë nga Sejdiu.
Ishte një goditje e fortë kjo për Kombëtaren U-21 dhe objektivin për t’u kualifikuar për në Euro 2023. Në dy ndeshjet e fundit kjo skuadër nuk ka marrë asnjë pikë, duke u mundur nga Sllovenia 3-0 dhe sot nga Kosova 2-1. Shqipëria U-21 ka zhvilluar 6 ndeshje dhe ka 9 pikë në grup, kurse Kosova ka një ndeshje më pak dhe 6 pikë në renditje. Për “dardanët” kjo ishte fitorja e dytë. Grupin G e udhëheqin Çekia me 13 pikë dhe Anglia me 10.
Fitorja e parë për U-19-ën
Kombëtarja U-19 ndërkohë ka marrë sot fitoren e parë në grup, pasi ka mundur në “Elbasan Arena” Maqedoninë e Veriut, me rezultatin 3-1. Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Armando Cungu shënuan Mata me penallti, Pjeshka dhe Bibo, kurse për maqedonasit barazoi përkohësisht Talakov. Kjo ishte ndeshja e tretë për kuqezinjtë e vegjël, më parë ata janë mundur thellë nga Franca dhe kanë barazuar 2-2 me Serbinë, por kanë golaverazh më të keq se kjo e fundit dhe mbajnë vendin e tretë, me pikë të barabarta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




