Me një letër të hapur, Taulant Xhaka i ka dhënë lamtumirën Kombëtares së Shqipërisë në moshën 30-vjeçare. Mesfushori luftarak tregon arsyet që e çuan në këtë vendim, duke veçuar dëmtimet e shumta, por edhe disa arsye private.
Xhaka rrëfen emocionet që ka ndjerë me fanellën kuqezi dhe i falënderon të gjithë për mbështetjen, nga drejtuesit e deri te tifozët. Ai thekson se bashkë me vallanë e tij, Granitin, janë rritur me dashurinë për flamurin e kuqezi në zemër.
Taulant Xhaka ishte pjesë e Kombëtares që prej vitit 2014 dhe numëron rreth 30 ndeshje me kuqezinjtë. Mesfushori është një nga heronjtë që e çuan Shqipërinë në Europian.

Letra e plotë e Taulant Xhakës
Letër drejtuar gjithë tifozave kuqezi, kombëtares së futbollit dhe FSHF-it. Të nderuar tifozë, futbollistë, dashamirës të futbollit, e nderuara Kombëtare shqiptare, krenari e gjakut tim. Dita që u vesha kuqezi ka qenë dhe mbetet dita dhe kujtimi më i bukur i jetës time.
Kam qenë dhe jam shumë krenar që u bë e mundur, që unë të vishesha kuqezi. Ishte një ëndërr për të gjithë familien XHAKA, e cila tashmë e bërë realitet. Do jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës. Nuk përshkruhen dot me fjalë emocionet dhe çastet e bukura që kam kaluar në gjirin e kombëtares kuqezi.
Të paharrueshme do mbetet kualifikimi për në Europian, apo dhe ndeshja që kaluam në Serbi. Mbi të gjitha, entuziazmi dhe krenaria e përfaqësimit të kombëtares kuqezi është një luftë për të treguar dashurinë ndaj vendit tënd të origjinës. Si unë, edhe vëllai im Graniti, jemi rritur me atdhedashuri për Shqipërinë dhe Kosovën. E gjithë familja ime na ka rritur si mua, ashtu dhe Granitin, me flamurin kuqezi në zemër, me një respekt dhe krenari të veçantë për vendin tonë.
Gjithmonë fillimet janë të bukura dhe askush nuk e mendon se sa shpejt ikin vitet dhe stafeta duhet dorzuar brezit të ri. Kohët e fundit kam munguar në kombëtaren kuqezi për shkak të lëndimeve të shumta, që akoma vazhdojnë të më ndjekin. Për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera private, kam vendosur të jap lamtumirën nga Kombëtarja kuqezi si lojtar i saj, por me zemër do jem në çdo moment pranë jush deri në frymën e fundit.

Do jem përjetë KUQEZI. Më besoni, që ky vendim është ndër vendimet më të vështira dhe emocionuese të marra ndonjëherë në jetën time. Nuk e kam pas aspakt të lehtë ta marr një vendim të tillë, sepse pranë kombëtares jam ndjerë shumë shumë mirë dhe krenar. Jam mbështetur shumë nga stafi i FSHF-it, nga bashkëlojtarët e mi, si dhe nga tifozat e mrekullueshëm kuqezi.
Por, në kushtet dhe rrethanat që ndodhem, mendova që është më e mira t´i them në këtë moment lamutumirë kombëtares së futbollit, për t´i dhënë edhe brezit të ri mundësinë të afirmohen, që të jenë e ardhmja e kombëtares sonë të përbashket. Dua të falënderoj përzemërsisht trajnerët, me të cilët kam punuar, lojtarët, presidenin e FSHF-it z.Armando Duka, si dhe gjithë dashamirët e futbollit, për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë gjatë angazhimit tim në gjirin kuqezi.
Një falenderim i veçantë dhe special shkon për tifozat kuqezi, ata jane lojtari i 12-të dhe na kanë mbështetur në çdo kohë dhe moment. Tifozat na kanë dhënë mbështetje edhe në ditët tona më të vështira. Ata kanë qenë frymëzim i madh për mua. Tifozat e kombëtares kuqezi janë më të mirët në botë. Tani edhe unë do jem një tifoz i flaktë i kombëtares kuqezi, pra një si JU.
Krenari dhe respekt për tifozat. Nder dhe krenari e madhe për gjithë familien XHAKA, që unë isha për disa vite pjesë e kuqezinjve. Ishte një ënderr e shumë brezave që falë zotit tashmë e bërë realitet. Faleminderit për besimin dhe gjithçka që më dhatë! Për kombëtaren kam dhënë maximumin dhe jam shumë krenar që isha pjes e saj. Një falenderim edhe për familjen time, që më ka mbështet në çdo hap të karrierës time.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




