Trajneri Edi Reja doli sot në konferencë shtypi, ku më shumë se për ndeshjen e nesërme me Andorrën, foli për humbjen e thellë me Anglinë. Ai vuri sërish në dukje vlerat e kësaj skuadre, ndërsa për ndeshjen e fundit tha se kuqezinjtë nuk mund të hedhin në erë atë që kanë bërë deri tani.
“Pas një humbje 5-0 morali nuk është ndër më të mirët. Mund të bënim më mirë, por u mundëm nga Anglia, një nga kombëtaret më të mira për vlerat individuale. Ata ishin agresivë. Ne kemi gabuar vetëm ndeshjen me Poloninë, të tjerat i kemi bërë mirë. Të mos hedhim në erë atë që kemi bërë deri tani dhe ta mbyllim duke e menaxhuar si duhet ndeshjen.
Kemi punuar për të ardhmen, kemi edhe vështirësi, por nuk mund të shohim atë që ka ndodhur. Me Andorrën do të jenë shumë lojtarë që nuk kanë luajtur me Anglinë dhe duhet gjetur edhe rreshtimi i duhur. Duhet të jemi inteligjentë dhe agresivë për të mos rrezikuar asgjë”, – u shpreh Reja.
Italiani sqaroi edhe çështjen e Brojës: “E kemi lënë në shtëpi, nuk erdhi këtu, sepse po kurohet për problemin me kaviljen. Salihi e pa ndeshjen e fundit dhe e kishte këtë problem. Folën mjekët e dy palëve, erdhi me ne dhe ishte pak më mire, shpresoja ta përdorja me Andorrën, por ai dhe klubi kërkuan të kurohej dhe të ishte gati për ndeshjen tjetër. Ishte i dëmtuar, nuk ka asgjë tjetër”.
Reja pastaj komentoi edhe pakënaqësitë e tifozëve: “Kemi luajtur kundër 4 titullarëve të Mançester Junajtid, 4 të Çelsit dhe 3 të Totenhemi. Anglia ka edhe një ekip në stol, ku të gjithë mund të jenë titullarë. Për humbje 5-0 na vjen keq të gjithëve, por është normale të mundesh nga Anglia. Merrni në konsideratë faktin që ishim në momentin më të keq, kishim dëmtime. U pa diferenca mes ekipeve, Anglia mund të fitojë Botërorin.
Ndoshta mund të kemi gabuar diçka, por kini parasysh kundër kujt luajtëm. E kuptoj kritikën, ka qenë gjithmonë në futboll, por duhet të jemi realist”, – përfundoi Reja.
Hysaj: E mbyllim me 18 pikë
Kapiteni Elseid Hysaj theksoi se humbja e thellë në Angli ndikon në moralin e skuadrës: “Është një humbje e thellë dhe na e ka ulur pak motivimin, por kemi qëndruar të bashkuar për ta harruar sa më parë. Kemi edhe një ndeshje tjetër, ku do kërkojmë maksimumin për t’i mbyllur në mënyrën më të mirë këto eliminatore.
Ishte humbje rëndë, por nuk duhet të harrojmë se luanim ndaj Anglisë me lojtarë të kalibrit botëror. Ajo humbje duhet të na shërbejë si një mësim. Andorra është një ekip që bezdis çdo skuadër, nuk është e lehtë të përballesh, por do të hyjmë në fushë për të fituar. Vendi i 3-të është një pozicion i mirë për ne, besojmë se do ta mbyllim grupin me 18 pikë”, – tha Hysaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




