Bota

Europa drejt valës së katërt të pandemisë, në Holandë fillon izolimi i pjesshëm. Disa shtete rikthejnë masat kufizuese

Evropa po i kthehet ditëve të errëta për shkak të pandemisë. Është i vetmi rajon në botë - vëren OBSH - në të cilin infeksionet dhe vdekjet nga Covid 19 janë vazhdimisht në rritje për të gjashtën javë radhazi. Nga 3.1 milionë raste të reja në nivel global, gati dy të tretat - 1.9 milionë - janë raportuar në Kontinentin e Vjetër, me 7% rritje në javën e kaluar.

Vdekjet u rritën me 10%, duke përbërë më shumë se gjysmën e 48,000 vdekjeve të raportuara globalisht. Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), vlerëson një situatë "shumë shqetësuese" në 10 vende: Belgjikë, Poloni, Holandë, Bullgari, Kroaci, Republikën Çeke, Estoni, Greqi, Hungari dhe Slloveni.

Në një situatë “shqetësuese” konsiderohen edhe 10 vende të tjera: Gjermania, Austria, Danimarka, Finlanda, Irlanda, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Rumania dhe Sllovakia. Italia, me Maltën, Suedinë dhe Spanjën, mbeten në një nivel të “shqetësimit të ulët”.

GJERMANI - Të dhënat më të fundit, vërtetojnë mesatarisht 400 infeksione për milion banorë krahasuar me 280 për milionë një javë më parë. E njëjta gjë vlen edhe për vdekjet: 2.4 për milionë banorë, krahasuar me 1.6të 7 ditëve më parë. Ndërkohë që 67% e popullsisë ka marrë dy doza.

FRANCË - Në javën e fundit, incidenca është rritur nga mesatarja 98 në 141 infeksione për million banorë. Përqindja e të vaksinuarve (doza e parë dhe përforcuesi), është 69%. Është vendosur detyrimi i dozës së tretë për moshën mbi 65 vjeç për të gjithë ata që duan të kenë certifikatën e gjelbër.

MBRETËRIA E BASHKUAR - Kurba është në kundërtendencë. Anglia regjistroi një rast për çdo 60 banor, krahasuar me një në 50 javë më parë. Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Skocia janë në rënie gjithashtu. Fushata për dozat e treta, tashmë të administruara tek 12 milionë njerëz, po përparon.

HOLANDË - 12 mijë infeksione mesatarisht në javën e fundit, krahasuar me 8 mijë në 7 ditët e mëparshme, gjë që e bindi qeverinë të rivendosë një bllokim të pjesshëm, i pari në Evropë prej muajsh që zgjat tre javë, duke filluar nga mbrëmja e së shtunës. Ndërsa 72% e popullsisë është e vaksinuar.

AUSTRIA - Nga 6.600 raste të reja në javë deri më 5 nëntor është kaluar mesatarisht në një rritje prej 9.600 rastesh. Gjë që do ta çojë vendin në shtrëngimin të masave për personat “no vax”, duke vendosur një bllokim ndaj tyre. Ndërsa 63% e popullsisë është e vaksinuar totalisht.

BELGJIKË - Në një javë, infeksionet janë rritur me 42%, shtrimet në spital me 20%. Përqindja e të vaksinuarve është 74% në vend.

SPANJË - Incidenca e infeksioneve është ende në rritje, ndonëse me një tendencë më pak të theksuar se të tjerat. Në 14 ditë ka pasur 67 raste për 100.000 banorë. Pothuajse 89% e popullsisë mbi 12 vjeç ka përfunduar ciklin e vaksinimit dhe mbi 2 milionë njerëz mes të sëmurëve dhe mbi mbi moshën 70 vjeç kanë marrë një dozë të tretë.

EVROPA LINDORE - Është situata më e rëndë në të gjithë kontinentin, sidomos për shkak të përqindjeve të ulëta të personave të vaksinuar. Rumania (vetëm 40% e imunizuar), është kthyer në një pikë të kuqe, me 5 mijë infeksione për milion banorë në 2 javët e fundit. Në vështirësi, edhe përsa i përket shtrimeve, janë Kroacia, Serbia dhe Bullgaria. Në Republikën Çeke, kurba është rritur që nga fundi i tetorit, duke shkuar mesatarisht në 2 mijë infeksione në 8.500.

RUSI - Ka një mesatare me mbi 40 mijë infeksione në ditë dhe javët e fundit është kaluar rekordi i vdekjeve, duke arritur në 1.239 në 24 orë. Mbulimi i vaksinimit është shumë i ulët, pak më pak se 35%.

SITUATA NË SHBA - "Jemi në një situatë komplekse për sa i përket pandemisë në SHBA, por tendenca është pozitive". Ky është mendimi i Anthony Fauci, i cili megjithatë donte të nënvizonte faktorët e ndryshëm seriozë të rrezikut ende të pranishëm. Midis tyre, shpjegoi virologu dhe këshilltari i presidentit amerikan Biden kundër pandemisë, "ekziston fakti që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende më shumë se 60 milionë njerëz nuk janë vaksinuar kundër Covid dhe kjo nuk është mirë, varianti Delta mbetet një armik i frikshëm për aftësinë e tij për të infektuar”.

Në anën pozitive, megjithatë, janë faktorë të tjerë të rëndësishëm, sipas drejtorit të Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në SHBA dhe mbi të gjitha miratimet e vaksinave për fëmijët dhe për marrjen e dozës së tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë