Humbja në Londër është pasuar me një sërë kritikash nga specialistë të ndryshëm të futbollit në Shqipëri. Kritika për trajnerin, kritika për skuadrën. Ish-trajneri i Kombëtareës Astrit Hafizi dhe ish-mbrojtësi Ervin Fakaj kanë thënë se me këtë lojë po kthehemi shumë vite prapa në kohë, para viteve ’90, kur mundeshim me goleada.
Skënder Gega e ka krahasuar ndeshjen me Anglinë si një duel boksu, ku kundërshtari të vë poshtë dhe nuk ke më shanse. Për ish-trajnerin e Shpresave, fakti që Anglia realizoi 4 herë për 33 minuta, do të thotë se në fushë nuk funksionoi asgjë.

Shkëlqim Muça, në analizën e tij pas ndeshjen në TVSH, pasi tha se strategjia e Rejës ishte e gabuar, theksoi se Shqipëria mbetet sërish një skuadër e vogël. “Nuk mund t’i bësh Anglisë presing lart, ata e gjejnë një zgjidhje, dalin dhe pastaj të gjejnë zbuluar e të ndëshkojnë. Po ashtu, nuk mund të luanim tre ndaj tre, pra tre mbrojtës tanët me tre sulmuesit e tyre. Është e pamundur t’i përballosh.
Shqipëria mbetet një ekip i vogël në arenën ndërkombëtare, mos mendoni ndryshe. Ne mbetemi një ekip në nivelin e Azerbajxhanit, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi. Në këtë nivel jemi, mos kujtoni se jemi ekip i madh. Prandaj them se ndaj kundërshtarëve të fortë duhet të luajmë ndryshe”, – u shpreh Muça.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




