Kombetarja

Reja pranon gabimin: Po ta riluaja ndeshjen, do mbyllesha në mbrojtje

Pas humbjes së thellë në Londër, trajneri Edi Reja i është përulur forcës së kundërshtarit, duke i bërë elozhe për gjendjen fizike dhe kualitetin. Ai është justifikuar me forcën e Anglisë dhe dëmtimet e shpejta, por në një fare mënyre ka pranuar se ka gabuar me strategjinë e tij për të bërë presing lart, që te mbrojtja kundërshtare.

“Përqendrimi nuk ka të bëjë, ata u nisën shumë shpejt dhe janë shumë të fortë fizikisht. Nuk arritëm t’i mbanim dot. Nga pikëpamja fizike kishte një diferencë të madhe. Në pjesën e dytë u sistemuam dhe luajtëm me personalitet, por edhe ata u ndalën pak. Ne bëmë ndryshime, duke hedhur lojtarë më të fortë fizikisht. Anglia kishte dominim total në nisjet e saj, e kishim të vështirë t’i ndalnim.

Nga ndeshja Angli-Shqiperi, 5-0. Gazeta Si, 12 nentor 2021

Menduam të luanim me presing, duke i sulmuar lart, por më pas nuk ia dilnim. Po të riluhej ndeshja, do të mbyllesha në mbrojtje si në pjesën e dytë, por herët a vonë ata do të bënin gol. Më interesonte ta shihja ekipin më lart. Në këto nivele për ne është e vështirë t’i përmbajmë kundërshtarët, nuk mundemi. Pastaj, patëm dy dëmtime dhe rezultati shkoi menjëherë 2-0, duke e bërë gjithçka edhe më të vështirë, sepse kur i bën zëvendësimet, pastaj mbetesh pa alternativa.

Imazhi i Shqipërisë? Nuk e prish kjo humbje në Londër, sepse këtu mund të humbësh me një skuadër si Anglia, që luajti me shumë grintë. Një ekip kaq i karikuar dhe me këtë kualitet vë poshtë këdo, jo vetëm Shqipërinë, por edhe ekipe më të forta”, – theksoi trajneri i Shqipërisë pas ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë