Kombetarja

Video/ Ëndërr horror në Londër, Shqipëria trembet nga furia angleze

Ëndërronim një mrekulli të kuqzinjve në “Wembley” ndaj Anglisë së madhe, por kemi parë një ëndërr shumë të frikshme, një ëndërr horror. Kuqezinjtë kanë luajtur 45 minutat më të errëta në këto vitet e fundit. Një “black out” total, me një mbrojtje të trembur dhe Strakoshën që është detyruar ta nxjerrë topin nga rrjeta plot 5 herë. Tani nuk mbetet gjë tjetër, veçse të mbrojmë vendin e tretë dhe të mendojmë për eliminatoret e Europianit.

Shqipëria merr disa goditje njëherësh që në fillim të ndeshjes. Bare dëmtohet që në minutën e 6-të, reziston pak dhe i lë vendin Laçit, ndërkohë që Meguajer ka shënuar golin e parë për Anglinë. Uzuni shpërdoron një top të dhuruar nga Uollker, duke humbur rastin ideal për 1-1, çka mund të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes.

Dëmtohet edhe Kumbulla dhe në fushë Dermaku, ndërsa Kejn dyfishon me shumë lehtësi nga afër portës. Kuqezinjtë janë krejtësisht të çorientuar dhe gabojnë gjithçka, duke u ngarkuar me kartonë të verdhë. Henderson realizon të tretin dhe më pas Herri Kejn e çon rezultatin në 5-0. Tripletë për sulmuesin e Totenhemit. Skuadra jonë mezi pret të shkojë në pushimin e ndeshjes.

Mihaj dhe Ramadani fillojnë pjesën e dytë, më vend të Trashit dhe Bajramit. Anglezët heqin këmbën nga “gazi” dhe loja nis të ekuilibrohet disi. Edhe Southgejt bën ndërrimet e tij, duke u dhënë mundësinë edhe disa lojtarëve të rinj, i ndihmuar edhe nga rezultati. Ka përpjekje për të shtyrë përpara nga kuqezinjtë, por vetëm kaq, pa rrezik konkret për Pikford.

Mbyllet gjithçka me fitoren e thellë të Anglisë, 5-0. Shqipëria lë Londrën e ngarkuar me gola, duke zhgënjyer me mijëra tifozë shqiptarë që ishin të pranishëm në “Wembley”. Ishte pa dyshim ndeshja më e dobët nën drejtimin e trajnerit Edi Reja, pa hequr aspak meritat e Anglisë. Kuqezinjtë kanë mundësinë të shkojnë në kuotën e 18 pikëve ndaj Andorrës pas 3 ditësh dhe për të siguruar vendin e tretë, që ishte ajo çka kanë merituar vërtet në këto eliminatore.

Angli-Shqipëri 5-0
Anglia (3-4-3): Pikford, Uollker, Maguajer, Stons, Xhejms (Aleksander-Arnold), Henderson, Filips (Belingam), Çiluell, Foden (Grealish), Kejn (Abraham), Sterling (Smith Roue). Trajner: Southgejt
Shqipëria (5-3-2): Strakosha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla (Dermaku), Veseli, Trashi (Mihaj), Gjasula, Bare (Laçi), Bajrami (Ramadani), Uzuni, Cikalleshi. Trajner: Reja
Shënues: Meguajer 9’, Kejn 18’, 33’ 45’, Henderson 28’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë