Kombetarja

Video/ Euforia e Bushit shuhet shpejt, Shpresat humbasin thellë në Slloveni

Në konferencën e fundit për shtyp, trajneri Alban Bushi foli me nota mjaft optimiste për këto eliminatore të Europianit të 21-vjeçarëve, por euforia e tij është shuar shpejt. Shpresat janë mundur keq në Slloveni, 3-0, dhe jo vetëm që zbehin shpresat për vendin e dytë, por kanë vënë në rrezik edhe vendin e tretë në grup. Dhe të mendosh që nuk kanë luajtur ende asnjë nga dy ndeshjet me Anglinë.

Vendin e dytë e ka marrë Anglia, që me një ndeshje më pak se kuqezinjtë, ka 10 pikë, 1 më shumë se Shqipëria dhe 2 më pak se Çekia kryesuese. Skuadra e Bushit deri tani ka mundur dy herë Andorrën, ndërsa fitoren e tretë e ka me Slloveninë në “Elbasan Arena”, ku vendosën dy golat e Ernest Muçit.

Sllovenia ka marrë hak sotme një fitore më të thellë, ndërsa “heroi” i Elbasanit nuk ishte në një ditë të mirë. Muçi humbi penallti që në fillim të ndeshjes, duke gjuajtur jashtë. Lojtari i Legias ishte shumë nervoz dhe në një moment rrezikoi edhe kartonin e kuq. Sllovenët na ndëshkuan me dy gola, ndërsa trajneri Bushi bëri dy ndërrime pa u mbyllur pjesa e parë. Ai hoqi nga fusha Markun dhe Ismailgecin për Dodën dhe Karricën.

Asgjë nuk ndryshoi në pjesën e dytë, kur skuadra vendëse thelloi rezultatin me sulmuesin Bosilj (dopietë për të). Doda ishte pa fat, pasi goditi shtyllën, kurse Muçi humbi një rast ideal. Ndoshta Bushi u nxitua me atë deklaratë euforike, teksa shkoi me mendje në muajin mars, kur Shqipëria U-21 mund të marrë edhe lojtarë të Kombëtares për të synuar vendin e dytë. Sllovenia tani është afruar në 7 pikë dhe i kërcënon kuqezinjtë edhe për vendin e tretë.

Slloveni-Shqipëri 3-0
Sllovenia: Turk, Trontelj, Stojinoviç, Laci, Spanring, Zabukovnik, Matko, Casar, Zvetlin, Zugelj, Bosilj. Trajner: Açimoviç
Shqipëria: Tafas, Mitaj, Selmani, Pëllumbi, Ismailgeci, Çelhaka, Marku, Asllani, Ndrecka, Muçi, Dobra. Trajner: Bushi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë