Federata Angleze e Futbollit ka bërë të ditur se nuk ka marrë masa shtesë për ndeshjen e sotme mes Anglisë dhe Shqipërisë që luhet në “Uembli”. Ndeshjet e fundit të Anglisë në fushën e saj nuk kanë kaluar qetësisht, me skena dhune e huliganizmi që janë shfaqur edhe në radhët e tifozëve vendas.
Në finaljen e Europianit, tifozët anglezë shpërthyen rrethimin dhe hynë pa bileta në stadium, duke sulmuar forcat e rendit e duke shkaktuar një kaos të pashembullt në një aktivitet të tillë. Pas kësaj UEFA e ndëshkoi Anglinë me zhvillimin e një ndeshjeje pa tifozë në aktivitetet e saj, jo ato që organizohen nga FIFA. Kështu, i bie që ndeshja me Shqipërinë të zhvillohet me tifozë.

Edhe ndeshja e kaluar e Anglisë në fushën e saj, ajo ndaj Hungarisë, u përfshi nga kaosi kur tifozët hungarezë u përplasën me stjuardët në stadium dhe vetëm ndërhyrja e policisë solli përsëri rregull në tribuna gjatë ndeshjes.
Pavarësisht shqetësimeve ne opinionin publik, Federata Angleze nuk ka konfirmuar masa shtesë për këtë takim. Mediat britanik citojnë një zëdhënës të Federatës Angleze i cili është shprehur se ndeshja do të kishte “praninë e duhur të stafit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




