Situata epidemiologjike në Shqipëri duket konstante prej disa javësh. Duke u bazuar tek të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se është përmirësuar ndjeshëm numri i shtrimeve në spitale dhe personave aktiv me covid-19.
Nga të dhënat e një viti më parë në të njëjtën ditë, kishte 373 pacientë në spitale, 8 të vdekur dhe 13039 persona aktiv, ndërsa tani ka 166 pacientë, 3 të vdekur dhe 8.233 persona aktiv të prekur nga virusi. Ajo çfarë mbetet më e lartë gjatë këtij viti është numri i infektimeve.
Epidemiologu Fabian Cenko shpjegon për Gazetasi.al se situata epidemiologjike e Covid-19 ka dy këndvështrime. Ai shpjegon se “jemi me keq sesa do të duhet të ishim, bazuar me disponibilitetin e një vaksine efiçiente e cila mbron shumë, por nga ana tjetër jemi “më mirë” sesa viti i kaluar në raport me numrin e shtrimeve në spital dhe numrin e fataliteteve”.

Cenko shpjegoi se për Gazetasi.al se në këtë fazë epidemiologjike që jemi duhet të avancojmë sa më shumë me vaksinat në popullatën e hezituesve/refuzuesve dhe të aplikojmë me rigorozitet respektimin e masave të mbrojtjes individuale (distancimi, higjiena dhe karantina e të sëmurëve).
“Ne të dyja këto elemente jemi në një ecuri larg mundësive tona, prandaj edhe vala epidemike vijon të mos ulët,” shtoi Cenko.
Kanë kaluar rreth dy javë që nga fillimi i procesit të dozave të treta në fillim nëntori. Ekspertët e ISHP kanë deklaruar se deri më tani janë kryer 18 mijë doza të treta, ndërsa vaksinimi me dy doza ka arritur deri në 41% të popullatës.
Iris Peza, specialiste e epidemilogjisë në ISHP në një deklaratë tha gjithashtu se edhe doza e tretë do të kalohet në sistem e do të njihet në certifikatën e vaksinimit.
Në çdo qendër shëndetësore po kryhet paralelisht edhe vaksina e gripit për kategoritë e riskut. Sipas ekspertëve, marrja e vaksinave në të njëjtën kohë si ajo e Covid-19 dhe e gripit nuk krijon asnjë problematikë.
Ndërkaq më herët, eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge ka deklaruar se shpejtësia me të cilën po përhapen infektimet është shumë shqetësuese. Sipas tij, Europa është në qendër të një krize të re pandemike.
Ai është shprehur se epidemiologët i tremben ardhjes drejt Europës perëndimore të një vale të katërt infektimesh nga Europa Lindore, ku shifrat janë shumë të larta. Kluge shpjegon ka një sërë arsyesh për këtë gjendje, si skepticizmi i vaksinës, rënia e fuqisë mbrojtëse të saj dhe stina e dimrit që favorizon viruset.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje