Kombetarja

Video/ Bushi beson te vendi i 2-të: Në mars marrim Brojën dhe Kumbullën te Shpresat

Shqipëria U-21 luan nesër ndeshjen kualifikuese të Europianit 2023 me Slloveninë. Këtë kundërshtar kuqezinjtë e kanë mundur 2-0 në ndeshjen e parë në Elbasan. Trajneri Alban Bushi ka pohuar në prag të kësaj sfide se ekipi është në gjendje të mirë fizike dhe se synimi është marrja e 3 pikëve. Shpresat mbajnë vendin e dytë në Grupin G, me 9 pikë, 3 pikë pas Çekisë kryesuese.

“Gjendja është shumë e mirë, me përjashtim të Asllanit që ka një shqetësim. Na ka ardhur edhe Muçi ditën e fundit dhe për këtë falënderoj trajnerin Reja, pasi kemi më shumë alternativa për ndeshjet me Slloveninë dhe Kosovën. Jemi më të mirë se Sllovenia, e kemi treguar në Elbasan, por jemi më të mirë kur bëjmë më të mirën në fushë. Secili nga lojtarët e di sa e rëndësishme është kjo ndeshje dhe sa shumë duhet të luftohet për ta fituar.

Jemi përqëndruar te kundërsulmi dhe do të mbrohemi shumë mire. Mendoj se ekipi është përgjigjur mirë këto 2-3 ditë dhe kam shumë besim. Kemi 9 pikë dhe mendoj se çfarëdo të ndodhë me Slloveninë, do të jemi në lojë, por nuk besoj se do të ndodhë humbja. Kam shumë besim se do të fitojmë dhe do të jemi shumë pranë vendit të dytë.

Nëse fitojmë, do kemi më pas mundësi të marrim edhe lojtarë nga ekipi i parë, pasi nuk ka ndeshje në muajin mars, ku luajmë ndaj Çekisë dhe Anglisë, lojtarë si Kumbulla dhe Broja. Shqipëria tani ka hyrë në një rrugë, që nuk do të ketë më probleme në të ardhmen për lojtarë, siç ka pasur dikur, kur mungonin dy lojtarë dhe nuk kishin me kë t’i zëvendësonin”, – tha mes të tjerash Bushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë