Shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kërkuan më pak burokraci në tenderat për medikamentet dhe pajisjet shëndetësore. Ata u shprehën se është thelbësore të ndryshohet ligji i prokurimeve.
Të ftuar në Komisionin e Shëndetësisë ku u diskutua mbi buxhetin e miratuar për çdo shërbim, drejtuesit theksuan se “pacientëve nuk u vlejnë burokracitë por medikamentet”.
Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë, Artan Godo u shpreh se ligji i prokurimeve në shëndetësi nuk mund të jetë i njëjtë si në të gjithë sektorët e tjerë dhe kjo gjë duhet rishikuar e nuk mund të lihet si më parë.
Një tjetër problematikë e ngritur nga Shefja e Shërbimit të onkohematologjisë pediatrike Anila Godo është finalizimi i tenderave për medikamente të caktuara.
“Ka tetë fëmijë çdo vit me tumore të veshkave dhe këto tumore nuk kanë një medikament zëvendësues për të tyren. Duhet gjetur një mënyrë për të anashkaluar burokracitë sepse krijohen vështirësi për fëmijët. Nuk është korrekte ta them por në shërbimin tim i lejoj prindërit që të bëjnë një medikament që mund ta gjejnë në formë ilegale nëse në shërbim nuk e kemi për shkak të tenderit,” tha Godo.
Më tej ajo shtoi se çdo mos cenim i protokollit është rritje e mortalitetit, kështu që duhet gjetur një zgjidhje.
Problem drejtuesin e reaminacionit dhe anestezisë në QSUT, Ilir Ohri ishte edhe mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore. Ai shpjegoi se është shumë e rëndësishme që pajisjet mjekësore të rezistojnë në kohë dhe të mos dalin jashtë funksionit për 2-3 vjet.
“Diçka tjetër thelbësore është rishikimi i raportit infermier-pacient. Duhet të ndryshojë dhe të bëhet një infermier për pacient në mënyrë që të sigurohet shërbimi i duhur dhe të anashkalohet prezenca e familjarëve gjithë kohës në spital që krijon probleme,” shtoi Ohri.
Për sa i përket kësaj çështje, Drejtori i Përgjithshëm i QSUT, Enkeleid Joti shpjegoi se është ngritur një grup punë së bashku me Universitetin e Mjekësisë për ta zgjidhur këtë çështje dhe për të shtuar kapacitetet e infermierëve në spitale.
Rektori i Universitetit shpjegoi se po mendohet që të nxiten punësimet e infermierëve dhe të ketë specialitete edhe në këtë fushë për të mos u grupuar të gjithë si infermier të përgjithshëm. Ai shtoi që studentët ë kanë mbaruar 3-vjecarin e universitetit mund të mendohej që të futën si ndihmës infermier.
Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive Gjeorgjina Kuli tha se një problematikë për të është vonesa e realizimit të tenderit për furnizimin e medikamenteve i cili duhet të shmangë sa më shumë hallkat burokratike.
Sipas saj një problem i rëndësishëm dhe që duhet të marrë zgjidhje sa më parë është edhe restaurimi i ndërtesës së pediatrisë pasi deri më tani kanë funksionuar në gjysmën e kapaciteteve.
Ndërsa kërkesa e Eqerem Hasanit, Drejtori i Urgjencës Polivalente të Sëmundjeve të Brendshme ishte që të hapen edhe 2 spitale të tjerë rajonal të përgjithshëm pasi e gjithë Shqipëria drejtohet në QSUT, gjë që e bën edhe më të vështirë pakujdesin e duhur të mjekëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje