Stadiumi “Egnatia Arena” i Rrogozhinës ka pritur sot për herë të parë një ndeshje ndërkombëtare. Në këtë stadium të ndërtuar muajt e fundit, me ngjitjen e Egnatias në Superiore, u zhvillua ndeshja Francë-Shqipëri për 19-vjeçarët, e vlerfshme për kualifikueset e Europianit që zhvillohet në vitin 2022 për këtë grup-moshë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungu u mund thellë, 4-0 nga Franca, që e siguroi fitoren që në pjesën e parë me 3 gola. Shqipërisë U-19 iu anulua një gol në fillim të ndeshjes me pretendimin se topi kishte dalë jashtë vijave para se të kthehej në zonë, ndërsa në pjesën e dytë kuqezinjtë goditën edhe shtyllën.
Shqipëria e nis me humbje këtë fazë kualifikuese. Ajo bën pjesë në Grupin 7, bashkë me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sot u luajtën ndeshjet e para dhe kuqezinjtë mbajnë vendin e fundit, me 0 pikë, aq sa ka edhe Maqedonia e Veriut, që u mund 2-1 nga Serbia.
Duke iu rikthyer çështjes së stadiumit, është për t’u përshëndetur fakti që tashmë Rrogozhina i shtohet hartës së qyteteve, ku mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare, siç janë Tirana, Elbasani, Shkodra, Durrësi, Fieri e ndonjë tjetër. Stadiumi “Egnatia Arena” ka aktualisht një nga tapetet më të mirë të barit në vendin tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




