Pas dy muajsh që nga fillimi i shkollës, është rikthyer mësimi online për disa shkolla në në periferi të kryeqytet dhe në disa klasa në Tiranë për shkak të infeksionit Covid-19. Muaji nëntor solli një rritje të infektimeve tek fëmijët. Më herët Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT, Gjeorgjina Kuli është shprehur se infektimet janë shtuar tek fëmijët e vegjël mbi 1 muajsh të cilët rrjedhimisht kanë shtuar infektimet në këtë kategori.
Burime për Gazetasi.al kanë treguar se infektimet në shkolla janë rritur në krahasim me muajt e shkuar, edhe pse zyrtarisht mungon informacioni. Zëvendëskryetari i Sindikatës së Mësuesve, Isa Halilaj i ka thënë Gazetasi.al më herët se ndryshe nga viti i kaluar ka një numër më të lartë të infektuarish tek nxënësit. Halilaj thotë se vërehen mungesa të shumta të nxënësve nëpër shkolla, çka bën që të mos dihet me saktësi numri i të infektuarve me Covid-19 për shkak të virozave të stinës.

Ndërsa eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti shpjegoi për Gazetasi.al se rastet e shkollave të mbyllura apo pjesërisht të mbyllura janë: Shkolla.”Qazim.Pali” në Borsh, 4 klasa në shkollën “Ismail Qemali”, 2 klasa në Sarandë, 4 në Berat. Ai shton se ka edhe shumë të tjera që mbahen të fshehura. Sipas tij situata nuk kontrollohet, nuk ka institucione dhe mekanizma që na bëjnë me dije, se sa është numri i nxenesve me Covid-19 sa është numri i mesuesve, sa është transmetueshmeria etj.
“Në gjykimin tim ne edhe këtë vit do të kemi probleme të rënda në mësimdhënie dhe mësimnxënie aq më teper që maturantet e këtij viti janë ata që gati 2 vite kanë bërë mësim online. Në provimet e Maturës Shtetërore 2022, ne mund të kuptojme diçka, por gjasat janë se vështirësitë, fiktiviteti i procesit mësimdhënes, do të dalin në pah shumë shpejt dhe ne do ta ndiejme për shumë vite, keqmenaxhimin e situatës Covid-19,” shton Mehmeti.

Gazetasi.al kontaktoi edhe me tre qendra shëndetësore(2, 6 dhe 9) në kryeqytet të cilat konfirmuan se kanë fëmijët të infektuar. Sipas mjekëve të qendrave mund të ketë 1 deri në 2 fëmijë që dalin pozitivë me Covid-19 kryesisht të moshave 11-14 vjeç, por nuk ka një rritje të lartë të infektimeve në krahasim me muajt e shkuar. Ndërkaq sipas shifrave zyrtare, që prej fillimit të shkollës e deri më tani janë infektuar nga Covid-19 rreth 150 nxënës. Gazetasi.al ka konstatuar vazhdimisht se respektimi i masave anti-Covid-19 nëpër shkolla ishte funksional vetëm javën e parë të shkollës, ndërsa ambiente të tjera prej kohësh nuk i respektojnë masat anti-Covid.
Burimet i thanë Gazetasi.al, se që prej nisjes së mësimit, në disa shkolla ka shkuar edhe urgjenca, pas shqetësimeve që kanë pasur disa nxënës për shkak të temperaturës së lartë, e cila nuk matet më kur fëmijët hyjnë në mëngjes.
Nëndrejtori i ISHP, Dritan Ulqinaku i tha Gazetasi.al se vijon të jetë në shifra të ulëta numri i të prekurve tek fëmijët.
“Konkretisht mosha 0 deri në 4 vjeç përben me pak se 1% të numrit të të infektuarve, ndërsa grup mosha 5 – 14 vjeç vetëm 2%. Ajo që dëgjohet është më tepër zhurma ose shqetësimi i prindërve apo mësuesve kur kanë fëmijë të sëmurë që me të drejtë është më i madh se për të rriturit,” u shpreh Ulqinaku.

Sipas tij edhe transmetueshmëria është e njëjtë si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.
Duke nisur nga këto fakte ekspertët e cilësojnë të rëndësishëm vaksinimin e fëmijëve, sidomos ata që kanë sëmundje imunizuese. Ekspertët e Komitetit Teknik në vendin tonë e miratuan javën e kaluar vaksinimin tek fëmijët e sëmurë, e sipas tyre do të jetë vaksina ajo që do t’i shpëtojë nga format e rënda apo hospitalizimi. Kuli është shprehur për mediet se momentalisht vaksina është e vetmja armë që kemi për të luftuar këtë luftë. Ajo shtoi se ecuria e Covid-19 ka shkaktuar komplikacione edhe tek fëmijët e shëndetshëm prandaj është i rëndësishëm vaksinimi.
Ndërkaq Alban Ylli, ekspert i shëndetit publik ka shpjeguar më herët për Gazetasi.al se vaksinimi i fëmijëve është pjesë e përpjekjeve për kontrollin e pandemisë dhe infektimeve masive në popullatë. Ai thotë se vaksinimi i fëmijëve ndihmon për kalimin nga faza e pandemisë në fazën e kontrollit më të plotë të Covid-19.
“Fëmijët përgjithësisht e kalojnë lehtë, por disa prej tyre, sidomos ata me sëmundje shoqëruese mund të kenë probleme serioze me Covid-19 përfshi vdekje. Disa pësojnë edhe long-covid apo probleme afatgjata,” shtoi Ylli.
Me shfaqjen e variantit Delta, vëmendja e ekspertëve mjekësorë u kthye edhe nga fëmijët të cilët u konsideruan të rrezikuar nga ky variant. Sipas një studimi nga “Children’s National Hospital” në Uashington, fëmijët e infektuar me variantin e ri e kalojnë më rëndë sëmundjen, por mund ta përhapin infeksionin për javë me radhë, edhe nëse nuk kanë simptoma. Studiuesit zbuluan e veçanta e variantit Delta është se ka një grumbullim të lartë të virusit tek fëmijët dhe të rinjtë. Duke nisur nga këto të dhëna ekspertët ndërkombëtarë thonë se tashmë fëmijët dhe të rinjtë janë infektues kryesorë, në ambientet ku jetojnë dhe kryejnë veprimtarinë e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje