Një dëmtim në kavilje ka bërë që sulmuesi Armando Broja të mos bashkohet me Kombëtaren në grumbullimin e Durrësit dhe shanset që ai të luajë të premten në “Wembley” janë minimale. Lojtari ka kryer të tjera teste mjekësore së fundi me klubin e Southemptonit, që po e mban në mbikqyrje, ndërsa nga FSHF-ja nuk ka ende një informacion zyrtar në lidhje me praninë ose jo të Brojës ndaj Anglisë.

Gjasat më të mëdha janë që sulmuesi të mos luajë dhe kjo është një humbje e madhe për trajnerin Reja. Broja është sulmuesi i momentit në Kombëtare, me 2 golat e tij në 2 ndeshjet ndaj Hungarisë kuqezinjtë kanë mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm për në Botërorin e Katarit. Shqipëria ka ende shanse matematikore, por i duhet patjetër të marrë pikë në Londër.
Trajneri Reja këtë herë ka lënë jashtë liste edhe Manajn, për shkak se është jashtë formës. Ai ka grumbulluar në sulm Cikalleshin, Brojën, Uzunin, Balajn dhe Muçin, por lojtari që luan në Premier Ligë duket se e ka humbur ndeshjen e madhe me Anglinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




