Nga Luljeta Nelallari - “I kam ra Lahutës që në klasë të shtatë në vitin 1954. Kulla jonë e ka pas traditë lahutën. Asaj i ka ra edhe baba em Gjergj Pllumi, të cilin rreth vitit 1937-1938 e ka intervistue dhe shkrimtari i njohun, Ernest Koliqi bash për lahutën”, shprehet lahutari nga Lezha, Lulash Pllumaj, i cili edhe sot në moshën 80-vjeçare vijon të luajë instrumentin identitar të shqiptarëve.
Një shtëpi malësori nuk ishte e plotë nëse nuk kishte varur hijerëndë instrumentin folklorik, lahutën, aty pranë oxhakut, ku këndoheshin me të bëmat e kreshnikëve trima. Familja e Lulash Pllumaj ka pasur që në krye të herës një lidhje shpirtërore me të dhe e vazhdon këtë lidhje sot e kësaj dite.
“Unë e mësova lahutën nga vëllai i madh, Ndue Pllumi së bashku me vëllain tjetër, Nik Pllumi sepse babai na la të rinj. Në vitin 1948 ai u arratis për në Jugosllavi, më vonë rreth vitit 1960 iku dhe vëllai dhe ne na internuan në Lushnjë”, rrëfen Pllumaj për Gazetën “Si” dhe është entuziast që lahutën ia ka trashëguar edhe djali. “Të ramen e lahutës mue ma ka trashëgue djali i madh, Robert Pllumi. E për këtë jam i lumtur se e lahuta e babës tim do të jetë edhe te ky brez”.
Duke u kthyer pas në kohë, lahutari rrëfen për Gazetën Si, edhe fillesat se si nisi lidhja e fortë dhe dashuria për këtë instrument.
“Maj mend se në klasë të shtatë e gjithë klasa me nigjonte kur knojsha unë. Ma vonë u bana lahutar i shkollës dhe konkurronim kush e kishte lahutën ma të mirë, kush i binte lahutës ma bukur dhe kush knonte ma bukur. E mësuesit më merrnin nëpër klasa se si duket knoja ma mirë se të tjeret. Çdo fshat kishte lahutarët e vet, ku knojshim në kuvende, dasma, gëzime të ndryshme, por edhe në festivale”.
Pas vitit 1960, Pllumaj do të vazhdonte t’i binte lahutës vetëm në shtëpinë e tij. Edhe pse këngët e Lahutës së Malësisë së Gjergj Fishtës u ndaluan, ai ka gjetur sërish mënyrën për ta mbajtur gjallë atë pasuri. Heronjtë e Lahutës si Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia nën tingujt e lahutës shpalosnin veçantitë e heroizmit shqiptar.
Lahuta e Malcisë ngrinte në fron heroizmat e shqiptarëve për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, por jo vetëm, për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare.
“Pata rregullue një lahutë të thjeshte pa brinat e dhisë dhe me të i knojsha kangët e Lahutës së Malësisë të At Gjergj Fishtës, deri sa na e ndaluen edhe Gjergj Fishten nga vitet 1967-1990. Por unë vazhdova t'i knoj kangët e Lahutës së Malsisë pa tregue se të kujat janë, u thosha se janë kangë popullore legjendare”.
Ndonëse me tingujt e këtij instrumenti ngjallet historia shqiptare, lahutari është i vetëdijshëm që ky instrument është në harrim e sipër, e për të kjo është një fatkeqësi e madhe.
Ndërsa ngre pyetjen: ‘si mund të quhet një instrument i tillë i dalë mode?’, shpreson që gjeneratat e reja të kenë më shumë interesim për instrumentin e lahutës.
“Porosia ime për brezin e ri është të mendojnë edhe për lahutën. Në qoftë se nuk e mëson sot rinia, ajo do të shkojë drejt harresës. Qeveritarëve nuk iu intereson lahuta ata duen muzikë xhazi, hip-hop, etj. Qeveria duhet me investue, sepse lahuta nuk asht vegël jashtë mode, ajo asht sot ma e nevojshme se kurrë. Të parët tanë dhe na e kemi rujt si gjënë më të shenjtë dhe shtrenjtë”.
Harresën e këtij instrumenti e pohon edhe specialisti i folklorit, Mark Gjoka. Ai rrëfen për Gazetën Si se gjatë pushtimeve në vendin tonë, lahuta u ndalua me ligj.
“Që nga pushtimi romak dhe me radhë të gjitha pushtimet bizantin, sllav dhe turk përdorimin e lahutës dhe të këngës së saj në gjuhën shqipe e ndaluan me ligj. I vetmi vend ku nuk zbatohej ky ligj ishin malet shqiptare”.
Arsyeja e ndalimit të këtij instrumenti sipas tij ishte dëshira e pushtuesit për të mos u ruajtur gjuha shqipe dhe fakti që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve.
“Shqiptarët e kishin të ndaluar me ligj nga pushtuesit përdorimin e këtij instrumenti identitar shqiptar, pasi lahuta shihej si instrumenti që ruante gjuhën shqipe nga zhdukja, që tregonte se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët, ilirët e lashtë”.
Ai është i keqardhur që ende sot ka shqiptarë që mbështesin teoritë e ish-pushtuesve tanë.
“Ne sot kemi akoma ndonjë shqipfolës që kanë mbaruar dhe mbrojtur doktoraturat e tyre në institucione sllave, turke dhe greke e qe vazhdojnë të mbeshtesin teorite e ish-pushtuesve tanë, që mohojnë se ky instrument folklorik është identitar shqiptar”.
Sipas specialistit Gjoka, problemi qëndron se po bëhet pak nga ana e institucioneve përkatëse në ruajtjen dhe zhvillimin e instrumentit folklorik dhe fisnik të lahutës.
“Të futet në sistemin arsimor të mësimit dhe studimit të Lahutës së Malësisë të poetit Gjergj Fishta, si dhe të instrumentit muzikor të lahutës deri në Universitet. Duke e filluar edhe në sistemin e Qendrave Kulturore të Fëmijëve të rretheve. Por po kaq punë duhet të bëjmë edhe në institucionet kulturore dhe artistike të pushtetit lokal në gjithë Shqipërinë dhe në trojet mbarëshqiptare dhe Ministritë e Kulturës, duke ngritur rrethe kulturore dhe grupe me fëmijë dhe të rinj që kanë pasion lahutën, përmes festivaleve dhe eventeve me përmasa lokale, kombëtare, mbarëkombëtare rajonale kushtuar saj”.
Duke qenë se lahuta është dëshmia jonë më e lashtë kulturore dhe këngët e shoqëruara me lahutë kanë ngritur lart traditën, frymën epike dhe historike ndër shekuj, bashkë me eposin e kreshnikëve, folkloristi Gjoka thotë se “ka ardhur koha që mbrojtja dhe zhvillimi i lahutës duhet kthyer në një lëvizje artistike-kulturore mbarëkombëtare. Dhe kjo duhet të merret përsipër nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e kulturës duke e futur atë në projektit e tyre bashkëvepruese afatgjata”.
Lahutari Pllumaj i rikthehet edhe njëherë faktit që Serbia ka arritur që instrumentin e lahutës ta regjistrojë si pjesë të kulturës së saj në UNESCO. Ndërsa mohon se instrumenti i lahutës sonë ka ndonjë lidhje me lahutën serbe, ai thotë se dihet botërisht që lahuta është trashëgimi iliro-shqiptare, por që qeveria duhet të punojë për mbrojtjen e trashëgimisë sonë.
“Serbt e kan fut lahutën shqiptare në UNESCO. Mirë kanë ba se nuk ishim na të zotët për me e çue. Nuk ka asgja të keqe se krejt e din se lahutës për herë t parë në këto troje i kanë ra shqiptarët dhe serbët e morën prej nesh. Po t'i shofish me vëmendje e ban fort mirë dallimin. Serbet i bien lahutës si me qenë tuj i ra çiftelisë, pianos, kitarës, e na i biem me krejt gishtin, siç i kane ra të parët tanë e kjo asht trashëgimia jonë. Lahuta jonë edhe sot e kësaj dite asht me kordhë prej bishtit të kalit, e lahuta serbe asht me tel çiftelie. Prandaj unë jam i qetë sepse sado të mundohen serbët, kurrë nuk mund të na e marrim origjinën e lahutës tonë. E dinë të tan bota se lahuta asht trashëgimi ilire-shqiptare”, shprehet lahutari.
Ai i bën apel qeverisë sonë që të mësojë prej qeverisë së atyre. “Ata po punojnë fort që të na e vjedhin. E na duhet të punojmë fort që të mbrojmë traditën që na e lanë të parët tanë. Ajo duhet të vej dorë dhe lahuta të marrë vlerën që ka pas si pjesë e identitetit tonë”.
Po të udhëtosh në malet shqiptare, instrumenti i lahutës duket se ende mbretëron, aty e varur hijerëndë në murin e shtëpisë, në pritje ta prekë dora e lahutarit, por duhet që ‘ata’ (qeveritë) të kthejnë kokën që të mbretërojë kjo shije tradite në gjithë hapësirën shqiptare si nga ana shpirtërore ashtu edhe folklorike...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.