Shqipëria mbyll këtë muaj eliminatoret e Botërorit të Katarit me ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën. Trajneri Reja ka dalë sot në konferencë shtypi, ku ka dhënë shpjegimet e tij për lojtarët e grumbulluar këtë herë dhe lënien jashtë të Berat Gjimshitit dhe Rei Manajt.
Trajneri i Kombëtares ka theksuar se Shqipëria do të tentojë maksimumin në 2 ndeshjet e fundit: “Do të shkojmë në ‘Wembley’ për të bërë më të mirën, matematika na lejon dhe ne shpresojmë. Anglia është skuadër shumë e fortë, por do të shkojmë atje për të bërë më të mirën”.
Pastaj italiani i stolit kuqezi ka komentuar mungesat në listë: “Mungesat e Balliut dhe Manajt? Kam folur me Manajn, ka pasur probleme shëndetësore dhe do të ishte më mirë të punonte me klubin që të rikuperohet. Nuk ka pasur minuta dhe vendosëm që ai të mos jetë për dy ndeshjet e fundit.
Ballliu ka një problem me muskujt e barkut, kam folur edhe me të dhe do të bëjë sërish teste dhe injeksione për këtë problem. Do doja ta kisha, ta shihja nga afër. Doja ta aktivizoja edhe me Poloninë, por u infektua nga Covid-i dhe mbetet për një herë tjetër, vitin e ardhshëm. Kemi edhe mungesa të tjera, si Abrashi dhe Gjimshiti, që janë të rëndësishëm, por do të bëjmë gjithçka me këtë grup që kemi”.
Trajneri Reja nuk i humb shpresat për vendin e dytë në Grup: “Dua që lojtarët të japin maksimumin për të marrë sa më shumë pikë. Sapo të mbyllen eliminatoret, do të bëjmë bilancin. Kemi pasur momente pozitive në këto eliminatore, por nuk kemi marrë pikë në ndeshje delikate, siç janë ato me Poloninë, sidomos ajo këtu në Tiranë. Ishte ndeshja jonë më e rëndësishme dhe patëm vështirësi, pasi u shtuan mungesat dhe nuk mund të bënim ndërrime.
Polonia ishte mirë fizikisht dhe në 20 minutat e fundit po vuanim pikërisht se nuk kishim mundësi të bënim lëvizje nga stoli. Mbetëm keq, të zhgënjyer nga rezultati. Edhe me barazim do të ishte ndryshe, por do të tentojmë deri në fund.
Nëse do të bënim 19 pikë, që do të thotë një barazim me Poloninë, do të ishte ndryshe, do të kishim më shumë shanse, por do të shohim në këto ndeshje. E dimë që është shumë e vështirë në Angli, por do të provojmë. Shpresojmë që edhe Hungaria të ndalë Poloninë dhe të na japë një dorë”.

Për rejën, skuadra ka bërë progres të madh në këto eliminatore: “Kënaqësia më e madhe është ta shohësh këtë skuadër të rritet dhe të arrijë rezultate të mira. Nëse arrijmë 18 pikë, do të jetë një arsye për gëzim, edhe pse na vjen keq që nuk patëm mundësinë për të vazhduar rrugëtimin për në Botëror. Ka pasur disa episode, gabime individuale, apo rasti i penalltisë në Poloni. Kemi treguar se mund të jemi kompetitivë ndaj çdo skuadre dhe kjo është një arritje.
Kemi fituar dy ndeshje me Hungarinë, që ishte pjesëmarrëse në Europian. Ishim shumë afër ëndrrës tonë, kishim një mundësi shumë të mirë. Nëse do të ishim të plotë me Poloninë, do të kishim marrë pikë, ndaj dhe na ka mbetur një shije e hidhur nga ajo ndeshje. Duhet të punojmë më shumë që në të ardhmen të kemi synime të mëdha”.
Reja u shpreh në fund se nuk e shqetëson fakti që portierët nuk po luajnë titullarë, apo edhe situata që po kalon Kumbulla: “Portierët tanë kanë qenë gjithmonë në nivelin e duhur. Nuk luajnë me klubet, por në Kombëtare kanë bërë mirë. Kumbulla? Te Roma ka vështirësi, por është normale, në Kombëtare ndoshta ndihet më i mbrojtur dhe luan më mirë”.
Kuqezinjtë mbajnë aktualisht vendin e tretë në Grupin I, me 15 pikë. Shanset për vendin e dytë, që mundëson pjesëmarrjen në “Play-off”, janë shumë të vogla. Me Anglinë Shqipëria luan më 12 nëntor në “Wembley”, kurse me Andorrën pas 3 ditësh në “Air Albania”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




