Ka ndodhur

Poker, letra bixhozi dhe para, goditen tre ‘baza’ të lojërave të fatit në Tiranë e Gjirokastër (Video)

Në tre operacione të ndryshme me emrin "Fati i Lojërave", policia e Tiranës ka goditur tre raste të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Në pranga janë vënë pesë persona, ndërkohë që janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, si dhe 10 njësi kompjuterike, 8 monitorë, 16 aparate celular dhe dy dekodera, që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.

Në zonën e Kombinatit, u arrestuan në flagrancë shtetasit  E.A., 19 vjeç dhe A. H., 18 vjeç (punonjës të lokalit), dhe u proceduan në gjendje të lirë 2 klientë të kapur në flagrancë, si dhe e shpall në kërkim pronari i lokalit, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 120.000 lekë të rinj, 5 njësi kompjuterike, 4 aparate celular dhe dy dekodera që shërbejnë për piratimin (vjedhjen) e sinjaleve televizive.

Në rrugën “Pasho Hysa” në Tiranë, u arrestua në flagrancë shtetasi  A.G., 37 vjeç dhe u procedua  penalisht në gjendje të lirë shtetasi Sh.H., 39 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 8 monitorë dhe 7 aparate celular, që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara.

Një ditë më parë, policia arrestoi në flagrancë shtetasit  L. Xh., 27 vjeç dhe K. B., 28 vjeç (kamerierë në një lokal) dhe u shpall në kërkim pronari dhe administratori i lokalit, pasi në rrugën “Petro Nini Luarasi” u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 aparate celular, 900.000 lekë të rinj dhe 2975 euro (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme).

Një “bazë” tjetër e lojërave të fatit është goditur edhe në Gjirokastër, ku është arrestuar një 28-vjeçar, M.K., banues në Tepelenë, i cili në ambientin “Bar-Kafe”, të administruar prej tij në rrugën “Studenti”, u konstatua se ushtronte veprimtarinë e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.

Po ashtu, policia thotë se ky subjekt ushtronte aktivitetin pa u regjistruar në organet përkatëse. Në lokal është sekuestruar një tavolinë pokeri, dy telefona, 160.000 lekë, 170 euro dhe letra bixhozi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë