Kombetarja

Video/ Cikalleshi shkëlqen me dopietë në Turqi, Kumbulla zhgënjen sërish

Sokol Cikalleshi duket në një formë shumë të mirë para gurmbullimit në Kombëtare. Sulmuesi kavajas ishte njeriu i ndeshjes Gëztepe-Koniaspor, që përfundoi me rezultatin 0-2. Të dy golat mbajnë firmën e Cikalleshit, një “ujk” i vjetër tashmë në kampionatin turk.

Cikalleshi realizoi nga një gol në çdo pjesë dhe i dha tri pikë shumë të rëndësishme Koniasporit, që është ngjitur në kuotën e 23 pikëve në renditje dhe mban vendin e tretë. Në këtë ndeshje u aktivizuan edhe lojtari tjetër i Kombëtares Endri Çekiçi, si dhe kosovari Bytyqi, por që të dy u zëvendësuan, ndërsa sulmuesi me përvojë qëndroi 90 minuta në fushë.

Kujtojmë që Cikalleshi kthehet në Kombëtare pas mungesës ndaj Polonisë, ku u ai u infektua në grumbullimin e kuqezinjve nga Covid-19. Edhe ndaj Anglisë më 12 nëntor ai me siguri do të ketë minuta, titullar apo zëvendësues, e vendos trajneri Reja.

Titullar është aktivizuar sot edhe mbrojtësi Marash Kumbulla, por Roma e tij u mund 3-2 në fushën e Venecias. Këtë herë Mourinjo preferoi mbrojtjen me 3 lojtarë dhe aktivizoi Kumbullën në të majtë, por e ndërroi në pjesën e dytë. Lojtari kuqezi është vlerësuar me një notë të ulët nga specialistët në Itali, pasi nuk ishte në nivelin e kërkuar dhe hasi vështirësi me sulmuesit kundërshtarë. Megjithatë, në Kombëtare Kumbulla është paraqitur ndryshe në ndeshjet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë