Njerëzve u kërkohet të hapin dritaret e tyre 10 minuta çdo një orë kur janë duke qëndruar në shtëpi në përpjekjen më praktike për të ndaluar përhapjen e Covid-19 me afrimin e dimrit.
Mjekët dhe shkencëtarët po mbështesin një fushatë të financuar nga qeveria britanike në të gjitha platformat mediatike për të inkurajuar njerëzit të ajrosin shtëpinë e tyre në përpjekje për të ndaluar shpërndarjen e grimcave të virusit.
Fushata do të përfshijë një video të shkurtër që u kërkon njerëzve të “ndalojnë së bashku Covid-19” dhe tregon se si koronavirusi mund të përhapet në një hapësirë të mbyllur ku një person i infektuar po flet me dikë tjetër, kur grimcat e virusit qëndrojnë në ajër dhe më pas i kalojnë dikujt tjetër.
Dr Thomas Waite, zëvendës shef mjekësor për Anglinë, tha: “Veprime të vogla por të rëndësishme mund të na ndihmojnë kundër Covid-19. Marrja e vaksinave, mbajtja e maskës në hapësira të mbyllura dhe zhvillimi i testeve të rregullta për Covid-19, të gjitha bëjnë një ndryshim të rëndësishëm, por është gjithashtu thelbësore që të mos anashkalojmë rëndësinë e ajrosjes.
Me afrimin e shpejtë të dimrit kur njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda, është jetike që të gjithë të kuptojnë rëndësinë e ajrosjes, si hapja e rregullt e dritareve – edhe nëse vetëm për disa minuta – për të mbajtur ajrin në lëvizje dhe për të parandaluar infeksionet.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social po u kërkon njerëzve që ta marrin ajrosjen më seriozisht pasi një sondazh i 3000 njerëzve në Angli zbuloi se 64% nuk e dinë se hapja e dritareve ndihmon në kufizimin e përhapjes së Covid-it dhe vetëm 29% e bëjnë këtë kur kanë vizitorë në shtëpinë e tyre.
Ekspertët e përfshirë në nxitjen e procesit të ajrosjes shpresojnë të rrisin ndërgjegjësimin për hapjen e dritareve, veçanërisht në ambiente të mbyllura ku do të ketë shumë njerëz gjatë periudhës festive.
“The Guardian”/ Përshtati në shqip; Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



