Mjedis

Depresioni i klimës është i vërtetë dhe po shtohet në mesin e të rinjve

Jemi në një epidemi në rritje të depresionit të rëndë klimatik mes të rinjve. Kjo është një krizë që nuk mund të zgjidhet me “mesazhe pozitive”. Në fund të fundit, e vetmja gjë që do të ndihmojë sigurinë mendore dhe fizike të çdo grupmoshe, përfshirë të rinjtë, është veprimi kuptimplotë nga liderët botërorë.

Ngrohja globale është një problem që prek pothuajse çdo aspekt të planetit tonë, shoqërisë dhe mendjeve tona, të nxitura nga prodhimi i lëndëve djegëse fosile. Çdo gram lëndë djegëse fosile e djegur intensifikon çdo manifestim të prishjes klimatike dhe ekologjike. Pa veprime klimatike në mënyrë emergjente, gjërat do të shkatërrohen, gjithçka do të shkatërrohet.

Kriza e shëndetit mendor të klimës po godet tashmë ata që kanë humbur gjithçka në përkeqësimin e klimës. Tashmë është duke prekur fermerët në Australi, Indi dhe kudo, të cilët përballen me sfida serioze dhe ndonjëherë të pakapërcyeshme për rritjen e ushqimit në një klimë që ndryshon me shpejtësi. Po godet komunitetet indigjene dhe vulnerabël, për të cilët prishja e klimës është kulmi i shekujve shtypje. Po godet prindërit, të cilët ndihen të paaftë për të mbrojtur fëmijët e tyre dhe sigurisht, po godet të rinjtë.

Një studim i kohëve të fundit, publikuar nga Revista The Lancet, bërë nga një ekip psikologësh hetoi ankthin e klimës që ndjejnë 10,000 të rinj të moshës 16-25 vjeç nga vendet e botës. Në sondazh, 77% thanë se “e ardhmja është e frikshme”, 68% ndjehen të trishtuar dhe 63% ndjehen të shqetësuar, 39% janë “në mëdyshje për të pasur fëmijë”.

Ky shqetësim lidhet me besimin se veprimi klimatik nga qeveritë është i pamjaftueshëm. Për më tepër, shqetësimi mendor rritet me temperaturat më të nxehta, me 9,000 deri në 40,000 vetëvrasje shtesë të parashikuara deri në vitin 2050 në Amerikë dhe Meksikë për shkak të nxehtësisë së tepërt.

Terapia mund të ndihmojë njerëzit që luftojnë me ankthin klimatik dhe depresionin por meqenëse emocionet klimatike nxiten nga procese fizike reale, intensifikuese në Tokë, terapia trajton vetëm simptomat.

Megjithatë, ndërsa gjithçka përkeqësohet dhe për fat të keq do të përkeqësohet, ne të gjithë do të kemi nevojë për më shumë miq. Do të na duhet gjithashtu një ndjenjë se, kolektivisht, ne mund të bëjmë shumë.

Meqenëse prishja e klimës shkaktohet nga prodhimi i lëndëve djegëse fosile, veprimet kuptimplota duhet të përfshijnë përfundimin e shpejtë të industrisë së karburanteve fosile, me synime të detyrueshme vjetore për tkurrjen e industrisë dhe për rrjedhojë reduktimin e emetimeve.

Një rrugë do të ishte sekuestrimi i aseteve dhe shtetëzimi i industrisë së lëndëve djegëse fosile për të siguruar shpërndarje të barabartë, të krijohet një traktat për mospërhapjen e lëndëve djegëse fosile. Gjithashtu, të rinjtë dhe adoleshentët duhet të përfshihen në vendimmarrjen për klimën dhe mosha e votimit duhet të ulet.

Fjala greke neo do të thotë “i ri”. Kështu, ne mund të krijojmë një fjalë, neocide, që do të thotë “vrasje e qëllimshme e të rinjve dhe brezave të ardhshëm”. Industria e karburanteve fosile e ka ditur për gjysmë shekulli se lëndët djegëse fosile do të çonin në ngrohje globale katastrofike që do të ishte veçanërisht shkatërruese për të rinjtë dhe brezat e ardhshëm. Pas dekadash gënjeshtra, udhëheqësit politikë vazhdojnë të vonojnë veprimet, duke çuar në humbje të mëdha, të pakthyeshme dhe të përshpejtuara në të gjithë ekosistemet e Tokës. Sigurisht që kjo krijon ankth mendor për të rinjtë!

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë