Pas dëshirës për të qëndruar në shtrat gjatë gjithë ditës fshihet një çrregullim psikologjik i quajtur klinomania.
Termi rrjedh nga shkrirja e dy fjalëve të greqishtes së vjetër, përkatësisht termi “kline” që do të thotë “shtrat” dhe “mainomai” që do të thotë “i çmendur”.
Njerëzit me këtë çrregullim luftojnë për të përballuar botën e jashtme. Ata janë të pamotivuar dhe u mungon vitaliteti dhe entuziazmi. Vetë mendimi për t’u ngritur nga shtrati në mëngjes u shkakton atyre ankth. Ata preferojnë të rrinë në shtratin e tyre sesa të përballen me realitetin e përditshëm. Krijohet “streha e sigurt” e tyre dhe çdo kontakt me jashtë është burim paqëndrueshmërie emocionale dhe frikë.
Në planin afatgjatë, ky problem tenton të bëhet kronik dhe të çojë në një gjendje depresioni akut, të shoqëruar me apati dhe letargji. Shpesh ky çrregullim e shoqëron individin vetëm për një periudhë të caktuar të jetës së tij. Mund të lidhet me një periudhë lodhjeje kronike ose me një ngjarje që e ka traumatizuar. Kur zgjat për një kohë të gjatë dhe kthehet në “normalitet” atëherë duhen marrë masa. Faza kronike arrihet kur njeriu vazhdimisht ndihet i plogësht dhe i dëshpëruar. Kjo gjendje e lodhjes kronike ndikon në cilësinë e jetës. Në fakt, për shkak të klinomanisë, njeriu mund të humbasë kontaktin me realitetin. Ne priremi të izolohemi nga bota e jashtme duke shmangur çdo lloj kontakti shoqëror. Kjo mund të rrezikojë edhe jetën profesionale të personit në fjalë. Përveç pasojave të rrezikshme nga pikëpamja sociale dhe psikologjike, mund të ketë edhe të tjera nga pikëpamja fiziologjike. Ky çrregullim shkakton probleme me gjumin sepse dëmton ciklin gjumë-zgjim. Për më tepër, për shkak të mungesës së ekspozimit ndaj rrezeve të diellit, trupi vuan nga mungesa e prodhimit natyral të vitaminës D, duke u bërë i brishtë dhe më i ekspozuar ndaj sulmeve nga viruset dhe bakteret.
Ka disa mënyra se si mund të trajtohet klinomania. Ekspertët rekomandojnë seanca psikoterapie, me qëllim që të mos trajtohen simptomat, por të gjurmohen shkaqet e tyre. Të jesh në gjendje të kuptosh arsyet e kësaj sjelljeje duke fituar vetëdije më të madhe është një pikënisje e shkëlqyer për të dalë prej saj. Psikoterapia kërkon shumë guxim, durim dhe motivim. Ndonjëherë mund të shoqërohet me një trajtim farmakologjik që synon reduktimin e simptomave të tilla si gjendjet kronike të ankthit. Në fakt, shpesh përshkruhen anksiolitikë dhe ilaçet kundër depresionit. Kur çrregullimi nuk është kronik, por vetëm i përkohshëm, është e mundur të ndërhyhet në rivendosjen e ciklit gjumë-zgjim duke përvetësuar zakone të shëndetshme të gjumit. Së pari duhet të shkoni në shtrat në të njëjtën kohë dhe të flini jo më shumë se shtatë deri në tetë orë në natë. Për më tepër, para se të shkoni në shtrat, duhet të shmangni qëndrimin përpara pajisjeve elektronike si telefonat inteligjentë kompjutera dhe tabletët, të cilat tentojnë të zgjojnë trurin dhe janë përgjegjëse për pagjumësinë dhe vështirësinë për të fjetur në mbrëmje. Do të ishte e dobishme t’i fikni të paktën disa orë para se të shkoni në shtrat. Në këto dy orë idealja do të ishte të pushonit me një banjë të nxehtë, një seancë joga ose ushtrime meditimi.
Burimi: Il Giornale/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje