Ka ndodhur

Abuzim me tenderin 7 milionë lekë në Bashkinë e Durrësit, arrestohen disa zyrtarë

Në një operacion të SPAK, oficerë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë mësyrë në Bashkinë Durrës, duke arrestuar 8 persona, mes tyre zyrtarë dhe punonjës të dy kompanive private, pas hetimit të një dosjeje për abuzim tenderash.

Bëhet fjalë për një tender të zhvilluar nga Bashkia Durrës, në periudhën maj – qershor 2020, me vlerë të fondit limit prej 7.083.000 lekë (pa TVSH). Sipas SPAK, bëhet fjalë për tenderin e blerjes së një zjarrfikëseje autoshkallë nga Bashkia Durrës.

Në pranga kanë përfunduar zyrtarët e Bashkisë Durrës, Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu dhe Artan Taho, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në cilësinë e  anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës.

Në pranga përfunduan edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Kastriot Beqaraj, Gjergj Markola, Indrit Matmuja, të akuzuar për ‘Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, në pranga  ranë edhe Albion Bushi, E.R., Lulzime Rami dhe Riza Sulaj, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., që dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të  “Falsifikimit të dokumenteve”, duke dorëzuar dokumente të falsifikuara në kuadër të kësaj procedure prokurimi për të fituar tenderin për blerjen e një zjarrfikëse që është jahstë funksionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë