Drejtësia

Skemë mashtrimi me TVSH-në, në pranga 5 persona. Sekuestrohen prona me vlerë 2 milionë euro

Dyshimet për një skemë mashtrimi me TVSH dhe rimbursim nga shteti me fatura fiktive, ka sjellë arrestimin e disa personave me urdhër të Prokurorisë së Durrësit në kuadër të operacionit të koduar "Skema".

Mësohet se gjykata ka dhënë në mungesë 10 masa sigurie, 7 me 'arrest në burg' dhe 3 masa 'detyrim paraqitje'. Deri tani, janë vënë në pranga 5 persona: Regan Merdani, Enis Xhaferri, Ben Caka, Ali Agolli dhe Roland Avdo.

Prokuroria e Durrësit prej disa muajsh ka ka rinisur hetimet për një ngjarje të vitit 2016, ku bëhet fjalë për një skemë mashtrimi në lidhje me krijimin e 5 subjekteve private thuajse fantazmë me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.

Bëhet fjalë për rreth 6 milionë euro detyrime të papaguara, ku dyshohet se dia administratorë dhe punonjës firmash, plotësonin fatura fiktive.

Prokuroria thotë se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar shoqëri fiktive me qëllim mos pagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera, të pa deklaruara në organet tatimore, produkte të cilat janë blerë pa dokumente tatimore, si dhe punimet janë kryer nga punonjës të pa regjistruar dhe pa deklaruar në organin tatimor.

Nga aktiviteti kriminal i skemave mashtruese me TVSH-në, të ndaluarit, nëpërmjet subjekeve fiktive kanë mundur të përfitojnë nga mos pagimi i detyrimeve tatimore shuma të mëdha, duke shkaktuar një dëm ekonomik, i cili përllogaritet në vlerën rreth 6 milionë euro.

Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet subjekteve private fiktive me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Krijimi i Skemave Mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.

Policia bën me dije se ka sekuestruar disa prona që arrijnë vlerën 2 milionë euro. Konkretisht është bërë sekuestrimi i: një shoqëri e quajtur "Alfa Nikel"; një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi; një apartament me sipërfaqe 215 m².

Rreth dy javë më parë, në një operacion të SPAK në Bashkinë Durrës, u arrestuan 8 persona, mes tyre zyrtarë dhe punonjës të dy kompanive private, pas hetimit të një dosjeje për abuzim tenderash.

Bëhet fjalë për një tender të zhvilluar nga Bashkia Durrës, në periudhën maj – qershor 2020, me vlerë të fondit limit prej 7.083.000 lekë (pa TVSH) për blerjen e një zjarrfikëseje autoshkallë.

Në pranga përfunduan zyrtarët e Bashkisë Durrës, Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu dhe Artan Taho, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në cilësinë e  anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë