Më 26 prill 2018, kryeministri Edi Rama do të miratonte një vendim që i hiqte nga qarkullimi qeset plastike dhe detyronte zëvendësimin e tyre me qese të biodegradueshme
“Do t’i ndalojmë fare qeset, vendim i dhimbshëm është por do t’i ndalojmë”, deklaroi Rama asokohe.
Në shtator të 2019, Blendi Klosi, që ishte Ministri i Mjedisit, nisi një fushatë ku qëllimi final ishte reduktimi dhe eliminimi përfundimisht i qeseve plastike dhe i gjithë plastikës.
“Në fund të vitit 2020 Shqipëria do të shënojë një rekord në rajon në mbrojtje të mjedisit dhe të fuqizimit të mekanizmave mjedisorë për të mos patur qese dhe plastik në fund të vitit”, u shpreh ministri Klosi.
Të njëjtën deklaratë e dëgjuam përsëri këtë vit dhe si duket, është shtyrë thjesht data e “ekzekutimit” të vendimit.
Gjatë fjalimit në Kuvend, Rama kërkoi nga industria e prodhimit të qeseve që të rishikojnë planet e tyre të biznesit pasi shumë shpejt në treg nuk do të lejohet përdorimi i plastikës.
“Dita e fëmijëve, 1 qershori, do të jetë dita e çlirimit nga qeset plastike“, tha Rama.
Çfarë ka ndodhur në të vërtetë me nismën dhe gjithë deklaratat?
Pasi u tha se me 1 qershor 2020 Shqipëria do të jetë vendi i parë në Europë pa qese plastike, në Kuvend u dorëzua një projektligj që më 17 marsin e vitit 2020 dhe nuk u miratua asnjëherë.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, kjo ka ndodhur për shkak të pandemisë dhe tërmetit.
“Për shkak të situatave që ndodhën, ngeli si draftligj në parlament dhe duke qenë se çështja e mjedisit është kthyer në prioritet, Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro po punon që këtë vit të hyjë në fuqi”, thotë Erjon Uka, zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit për Gazetasi.al.
Nga një vëzhgim i Gazetasi.al, qeset plastike janë kudo, duke filluar nga marketet, dyqanet e lagjeve, byrektoret etj.
Shitës të ndryshëm thonë për Gazetasi.al se në fillim të vendimit për përdorimin e vetëm qeseve të biodegradueshme, ato u detyruan të shesin qese, çka dhe i dëmtonte në lidhje me klientët.
“Në fillim u detyrova të blija qese të biodegradushme dhe t’i shisja por falë zotit u harrua si gjë dhe fillova të marr qese normale plastike që i jepja falas”, thotë një shitëse në zonën e “21 Dhjetorit”.
Të tjerë shitës tregojnë se janë të lumtur që është harruar përdorimi i qeseve të biodegradueshme dhe tani nuk kanë “pse kërkojmë 50 lekë të vjetra për qese, ishte një kërkesë e sikletshme”.
Qeset plastike jepen edhe në byrektore ku pavarësisht se produktet mbështillen me letër, mbetet një problem kontakti i qeseve plastike me produktet.
Nisma për heqjen nga qarkullimi e qeseve plastike është e vjetër, thuhet çdo vit dhe siç ndodh rëndomtë, projektligji për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike ka mbetur në një sirtar ose me shumë mundësi në një qese plastike dhe për momentin kemi vetëm një premtim nga Ministria e Mjedisit dhe biznese të mbushura me plastikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



