Politike

SHBA në krah të Izraelit: Irani na gënjeu! Po ndërton armë bërthamore

Të hënën, me një projektor gjigant pas shpine dhe me një tufë dosjesh e CD në anë, Benjamin Netanyahu paraqiste provat, që sipas tij kishte grumbulluar shërbimi sekret izraelit për programin bërthamor të Iranit.

Kryeministri izraelit deklaroi se Teherani jo vetëm që nuk ka hequr dorë nga ambicia e tij për të patur armë bërthamore, por vazhdon punën i pashqetësuar falë marrëveshjes së nënshkruar në 2015.

Çfarë provash ofroi Netanyahu? Netanyahu tregoi ato që ai i quajti “kopje reale” të dokumenteve të siguruara nga një magazinë sekrete në Teheran.

Gjithsej ishin 55 mijë faqe provash sipas tij dhe rreth 55 mijë skedarë në 183 disqe (CD).

“Çfarë përmbajnë këto skedarë? Dokumente inkriminuese, grafikë, prezantime e projekte inkriminuese, foto, video e shumë më shumë. Këta skedarë provojnë se Irani ka gënjyer paturpësisht kur ka thënë se nuk ka ambicie për armë bërthamore” deklaroi ai.

Izraeli thotë se do të ndajë në ditët në vazhdim gjithë informacionin që zotëron me Shtetet e Bashkuara dhe me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Pak orë pas kësaj daljeje të pazakontë të Netanjahut ka reaguar Donald Trump. Presidenti reagoi përmes Twitter-it duke u shprehur se koha i dha të drejtë atij për marrëveshjen e nënshkruar nga paraardhësi Barack Obama në 2015.

“Çfarë ka ndodhur së fundmi tregon se kam 100 për qind të drejtë për paktin”, shkruan Trump.

Presidenti amerikan ka kohë deri më 12 maj që të vendosë për fatin e ujdisë dhe në bazë të këtij reagimi, duket se vendimi është marrë. Nga ana tjetër, Franca dhe Britania e Madhe, që të dyja vende firmosëse të paktit mbrojnë marrëveshjen duke u shprehur se Irani po përmbushu zotimet e veta.

Reagime pati edhe nga Teherani. Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif hodhi poshtë pretendimet e Izraelit, duke e akuzuar se po mundohet që të mashtrojë njerëzit për të disatën herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë