Sociale

Kriza e transportit publik, Veliaj: Rimbursim i TVSH dhe akcizës së naftës vetëm nëse vendosni GPS dhe jeni transparent

Gjatë një mbledhje me operatorët e transportit publik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se do jepen 1 milion euro për rimbursimin dhe akcizën e naftës të këtij sektori, por mbetet kushti që ata të vendosin GPS në çdo automjet.

Veliaj bëri me dije se nuk do të ketë heqje totale të TVSH-se apo akcize, pasi mund të lindin hapësira për abuzim.

"Kam diskutuar me kryeministrin dhe do marrim vendime për kërkesat. Po konsiderojmë heqjen e TVSH për të gjithë sektorin tuaj. Kjo nuk mund të bëhet nëse nuk bashkëpunojmë për GPS, nëse ka operatorë që thonë nuk e vendos, si ta dimë ne sa kilometra ka bërë. Vetëm me këtë e bëjmë, nëse pranoni transparencë ne do të vazhdojmë me TVSH dhe akcizën. Dua dakordësi për këtë që të avancoj me heqjen TVSH dhe akcizës", tha Veliaj.

Më tej Veliaj tha se do të ketë diskutime me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për subvencionimin e aboneve për shtresat sociale dhe për studentët.

Gjatë takimit kreu i Bashkisë gjithashtu paralajmëroi operatorët, se nëse nuk do të rrisin cilësinë e transportit, do t’iu hiqet licenca. Veliaj kritikoi linjën e Kopshtit Zoologjik, për mjetet e amortizuara që ndotin ambientin dhe i'u la afat deri në datën 30 tetor për të zëvendësuar urbanët, përndryshe do t’u hiqet licenca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë