Mjekët shpesh përshkruajnë opioidët (ilaçe për trajtimin e dhimbjeve akute dhe kronike) në momentin që personat kanë dhimbje muskulare ose të tjera. Sipas të dhënave të fundit opioidet kanë një potencial të lartë për keqpërdorim dhe përdorimi afatgjatë i opioideve mund të çojë në varësi. Si pasojë, vitet e fundit, ka pasur një rëndësi gjetja e mënyrave më të sigurta farmakologjike dhe jo farmakologjike për t’i zëvëndësuar ato. Disa studime kanë treguar se frymëmarrja e ndërgjegjshme(momenti kur kryeni ushtrime frymëmarrje) ka efekte qetësuese. Kështu, kjo mund të jetë një alternativë më e sigurt për lehtësimin e dhimbjes. Frymëmarrja e ndërgjegjshme kërkon që individët të përqendrojnë vëmendjen e tyre në ndjesinë e frymëmarrjes. Kjo metodë mund të jetë e vështirë për fillestarët, pasi përfshin fokusimin në një ndjesi të brendshme për një periudhë të gjatë kohore dhe ekspertët kanë gjetur një mënyrë për të kaluar këtë sfidë; Lojërat virtuale

Si mund të ndihmojë lojërat virtuale (Virtual Games)?
Këto lojëra i lejojnë individët të ndërveprojnë me një mjedis tredimensional dhe të krijuar nga teknologjia. Studimet tregojnë se angazhimi me stimulin e jashtëm në formën e mjedisit që paraqet një sistem virtual mund të ndihmojë në uljen e dhimbjes. Ekspertët besojnë se vëmendjea e drejtuar ndaj përvojës së dhimbshme modulon perceptimin e dhimbjes. Angazhimi në lojëra virtuale kërkon vëmendje vizuale dhe dëgjimore dhe ky shpërqendrim zvogëlon vëmendjen e drejtuar drejt dhimbjes. Kjo nga ana tjetër ul nivelet e perceptuara të dhimbjes. Për më tepër, zhvillimet e fundit tregojnë se ekspozimi ndaj lojërave virtuale mund të zvogëlojë dhimbjen edhe kur individët nuk janë të përfshirë në mënyrë aktive me të. Me fjalë të tjera, kjo metodë mund të ndihmojë në zbutjen e dhimbjes me një mekanizëm të ndryshëm nga shpërqendrimi i vëmendjes.
Një studim i fundit që shfaqet në revistën “Journal of Medical Internet Research” përdori imazhe të trurit për të parë se si funksionon truri në raport me dhimbjen dhe përqendrimin. Studiuesit krahasuan modelet e aktivizimit të trurit në individë të shëndetshëm që praktikonin frymëmarrjen tradicionale të ndërgjegjshme me modelet e atyre që përdornin frymëmarrje të ndërgjegjshme të ndihmuar nga lojërat virtuale. Studimi raporton se individët që përdorin njërën nga teknikat kishin raportuar se ndjenin dhimbje të reduktuara pasi praktikuan frymëmarrje e ndërgjegjshme për 1 javë.

Autori kryesor i studimit, Alexandre DaSilva, profesor në Universitetin e Miçiganit, tha se ai dhe kolegët zbuluam se të dyja metodat e frymëmarrjes gjatë një loje virtuale ulnin ndjeshmërinë ndaj dhimbjes.
“Në praktikën tradicionale të frymëmarrjes së përqendruar rajonet më ballore të trurit të pjesëmarrësve moduluan ndjeshmërinë ndaj dhimbjes duke i dhënë përparësi vëmendjes së tyre në ndjesitë e brendshme. Në grupin që kreu frymëmarrje të përqendruar nëpërmjet lojërave virtuale kishte më shumë rajone të trurit të lidhura me ndijimin në tru, duke i dhënë përparësi mjedisit të jashtëm, pra lojës”, shton eksperti.
Studimi përfshiu 40 persona të rritur të shëndetshëm të cilët praktikuan frymëmarrjen e ndërgjegjshme tradicionale ose të ndihmuar nga lojërat virtuale për 7 ditë. Grupet kryen teknikën e tyre përkatëse të frymëmarrjes në laborator në ditën e parë dhe të shtatë. Ata gjithashtu praktikuan këto rutina të frymëmarrjes në shtëpi gjatë 5 ditëve të mbetura. Pas përfundimit të aktivitetit të frymëmarrjes, studiuesit administruan një test për të matur pragun e dhimbjes tek pjesëmarrësit. Ata regjistruan aktivitetin e trurit të pjesëmarrësve gjatë ushtrimit të frymëmarrjes dhe testit të pragut të dhimbjes. Ata gjurmuan ndryshimet në nivelet e aktivitetit të trurit duke përdorur një teknikë imazherike të quajtur spektroskopia funksionale pranë infra të kuqe (fNIRS), që përdor nivele të ulëta të dritës jojonizuese të padëmshme për të gjurmuar vazhdimisht ndryshimet e rrjedhës së gjakut në rajonet e trurit.
Studiuesit kuptuan se frymëmarrja e ndërgjegjshme e ndihmuar nga lojërat virtuale nxisin më shumë aktivitetin midis rajoneve të ndryshme të trurit në një mënyrë të veçantë për të ulur pragun e dhimbjes.
“Kjo përvojë magjepsëse lehtësoi vëmendjen e tyre ndaj praktikës, duke zvogëluar shpërqendrimet e zakonshme në metodën tradicionale të frymëmarrjes. Diçka tjetër e mirë ishte edhe përdorimi i fNIRS si një teknikë neuroimazhi për të ekzaminuar trurin e pjesëmarrësve tanë. fNIRS është i qetë, relativisht i lëvizshëm dhe i përsosur për të ofruar një mjedis më natyral për protokollin tonë të frymëmarrjes meditative, në vend të skanerëve të zakonshëm”, shtoi DaSilva
Pas studimit ekspertët sugjeruan që personat që dëshirojnë të përdorin këto mënyra për të reduktuar dhimbjet dhe të zëvendësojnë opioidet duhet të marrin pajisjet e lojërave virtuale në shtëpi për t’i pasur në çdo moment.
Burimi: MedicalNews/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje