Rend dhe Ligj

Grabitet banesa në Krujë, 10 persona torturojnë biznesmenin, i presin gishtin e dorës dhe i marrin 100 mijë euro (Video)

Një banesë në Nikël të Krujës ka rënë pre e grabitësve rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, e diel, 24 tetor 2021. Policia njofton se persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur me dhunë një shumë parash në banesën e biznesmenit Nazmi Çangu, i cili ështe dhunuar dhe i është prerë gishti i dorës për të treguar ku ndodhej çelësi i kasafortës. Ndërkohë që familja e tij është terrorizuar e gjitha.

Ai thotë se kanë qenë rreth 10 vetë të armatosur e me maska, të cilët e kanë torturuar dhe lidhur me fasheta në duar dhe këmbë.

Informacionet e para flasin për rreth 100 mijë euro, me prerjet e monedhave që dyshohet të kenë qenë në lek, dollarë, euro dhe flori.

Familja ka qenë për darkë tek një mik dhe janë kthyer rreth orës 23:00. Ndërkohë që rreth orës 01 të natës, grupi prej 10 personash, me armë e maska i kanë hyrë në banesë.

Dyshohet se grabitësit i kanë mbyllur familjarët në një dhomë në katin e 3 të banesës, ndërsa të zotin e shtëpisë e kanë gjetur në një dhomë ku po flinte i vetëm dhe e kanë lidhur me fasheta dhe torturuar për t’i dhënë çelsësin e kasafortës që ai mbante në shtëpi.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, po punojnë intensivisht nën drejtimin e Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Krujë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë