Policia e Tiranës ka arrestuar paraditen e së enjtes avokaten Donata Lepenica, pasi dyshohet se ka ndërhyrë te një prokuror i Prokurorisë së Tiranës.
Po ashtu prokurori i Tiranës, Përparim Hasa, është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Prej 4 ditësh, Krimet e Rënda kanë bllokuar serverin e kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Tiranës. Pamjet filmike kanë fiksuar momentin kur prokurori dhe avokatja takohen në zyrë.
Ndërsa, nga përgjimet telefonike zbulohet se avokatja i drejtohet të pandehurit që ajo mbron, se gjithçka e ka zgjidhur me prokurorin. Prokurori ka mohuar akuzën ndaj tij, por burime nga Krimet e Rënda bëjnë të ditur se biseda telefonike e përgjuar e avokates me të pandehurin është bërë në të njëjtën ditë kur ajo ka takuar Hasën në zyrën e tij në Prokurorinë e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.