Shendet

Studimi: Skleroza e shumëfishtë mund të nxitet nga infeksionet e marra që në adoleshencë

Skleroza e shumëfishtë (MS) diagnostikohet më shpesh midis moshës 20 dhe 50 vjeç. Disa gjene e vënë një person në rrezik më të madh për të pasur këtë sëmundje të sistemit nervor qendror, por shkencëtarët ende po përpiqen të kuptojnë shkaktarët. Një studim i fundit ka treguar se pneumonia në adoleshencë shoqërohet me një rrezik të shtuar të MS, kështu që eksperti kryesor i studimit, Rob Reddick, pedagog mjekësie në universitetin e Oksfordit së bashku me kolegët nisën të hetojmë nëse llojet e tjera të infeksionit shoqërohen me këtë gjendje. Në studimin e botuar në revistën “Brain”, ekspertët përdorën të dhënat shëndetësore të 2.5 milion njerëzve të lindur në Suedi midis 1970 dhe 1994. Të dhënat treguan se 4,000 prej tyre u diagnostikuan me MS pas moshës 20 vjeç. Në mesin e këtij grupi, 19% kishin kishte një infeksion të diagnostikuar në spital midis lindjes dhe moshës dhjetë vjeç dhe 14% midis moshave 11 dhe 19 vjeç.
“Ne zbuluam se shumica e infeksioneve para moshës 11 vjeç nuk ishin të lidhura me një diagnozë të mëvonshme të MS. Në të kundërt, infeksionet e diagnostikuara në një spital (që tregojnë se janë relativisht të rënda) midis moshave 11 dhe 19 ishin të lidhura vazhdimisht me një rrezik të lartë të zhvillimit të MS,” shkruan Reddick.


Të dhënat tregojnë se infeksionet e frymëmarrjes në adoleshencë u shoqëruan gjithashtu me MS, duke rritur rrezikun me 51%. Ne besojmë se në disa raste, infeksioni dhe inflamacioni në mushkëri mund të çojnë në aktivizimin imunitar në pjesë të tjera të trupit, përfshirë sistemin nervor qendror, duke rritur kështu rrezikun e inflamacionit atje. Kjo mund të shpjegojë sesi një infeksion i mushkërive mund të fillojë procesin e sëmundjes MS. Përndryshe, agjenti infektues mund të ketë një ndikim më të drejtpërdrejtë në tru.
Studimi siguron dëshmi të tjera se adoleshenca është një periudhë e rritjes së ndjeshmërisë ndaj ekspozimeve të lidhura me rrezikun e MS dhe se mund të duhen shumë vite për t’u përcaktuar diagnoza.
“Këto rezultate na ndihmojnë të kuptojmë më mirë llojet e ekspozimeve që mund të rrisin rrezikun e MS. Mund të jetë e vlefshme të merret parasysh MS si një diagnozë e mundshme në dikë që shfaq simptoma neurologjike nëse ata kishin një infeksion serioz në adoleshencë. Hapi tjetër në hulumtimin tonë do të jetë të hetojmë më tej nëse njerëzit që janë gjenetikisht të ndjeshëm ndaj zhvillimit të MS kanë më shumë gjasa të kenë një reagim imunitar më të theksuar ndaj infeksioneve duke u shtruar më shpesh në spital”, shton eksperti.
Skleroza e shumfishtë është një sëmundje autoimune që karakterizohet nga shkatërrimi gradual i sistemit nervor. Kjo sëmundje gradualisht çon në shkatërrimin e mielinës që izolon nervat në sistemin nervor qendror.
Burimi: The Conversation/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë