Shendet

Doza e tretë në Shqipëri pritet të fillojë për mbi 110 mijë persona mbi 70 vjeç dhe ata me imunitet të dobët

Shumë vende në botë kanë vendosur që qytetarët do të duhet të marrin edhe një dozë të tretë vaksine. Edhe në Shqipëri, burime të Gazetasi.al në Institutin e Shëndetit Publik, konfirmuan se po mendohet që doza e tretë të fillojë për personat mbi 70, që janë rreth 112.530 persona, por fasha moshore edhe mund të ulet. Burimet gjithashtu i shpjeguan Gazetasi.al se doza e tretë do të aplikohet edhe për personat që kanë probleme me imunitetin, për të cilët nuk do të kenë kufij moshorë.

Ndërkaq gjatë një interviste televizive Silva Bino, Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, ka shpjeguar se gjatë kësaj jave do të jepet vendimi për dozën e tretë. Bino shpjegoi më tej se vaksina Pfizer e miratuar nga FDA edhe për personat mbi 16 vjeç mund të përdoret, por jo me detyrim se duhet të ketë pëlqyeshmëri nga prindi.
Edhe në raportimin e imunizimit të popullatës nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë u rekomandua aplikimi i dozës së tretë. Imunologu Genc Sulçebe shpjegoi se për të parandaluar riinfektimet në individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, duhet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjeç, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese.

Sulçebe deklaroi se për dozën e tretë, mund të bëhet edhe përzierje e vaksinave. Nëse një individ ka marrë dy doza Coronavac, e treta mund të jetë edhe AstraZeneca ose Pfizer që sipas tij janë provuar të jenë efikase. Ndërkohë që në Shqipëri janë vaksinuar rreth 30% e popullatës target me dy doza.

Doza e tretë e vaksinës ka qenë një debat i hapur për shumë vende, madje edhe nëpërmjet autoriteteve shëndetësore kudo në botë. Disa prej tyre mendojnë që doza e tretë të aplikohet vetëm tek personat 60+, disa mendojnë që duhet të merret vetëm nga personat me imunitet të dobët, e të tjerë shkruajnë se duhet të merret nga personat që kanë 6 muaj pasi kanë bërë të dyja dozat e vaksinës.

Ekspertët shëndetit publik në Shqipëri kanë sugjeruar se qytetarët shqiptarë që kanë marrë vaksinën kineze Coronavac kanë nevojë për një dozë të tretë vaksine. Ekspertët si Ilir Alimehmeti dhe Laidon Shapo i kanë shpjeguar Gazetasi.al më herët se doza e tretë është shumë e rëndësishme për qytetarët që kanë marrë vaksinat që prej fillimit të vaksinimit në vendin tonë, gjatë muajit shkurt-mars. Sipas tyre këshillohet të merret si dozë e tretë Pfizer ose AstraZeneca.

Raportet nga Tajlanda, Turqia, Indonezia që kanë vaksinuar pjesën më të madhe të popullatës me vaksinën Coronavac, kanë treguar se kanë nisur dozën e tretë në popullatë pas 3 muajve që qytetarët kanë marrë dy doza. Ndërsa studimi i parë i dozës së tretë në Izrael, që u publikua në 15 shtator tregoi se ata që u vaksinuan, kishin 19 herë më pak mundësi të prekeshin nga gjendja e rëndë e Covid-19 sesa ata që ishin vaksinuar me dy doza.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë