Pjesa më e madhe e pacientëve me Covid-19 u kuruan në katër spitale kryesore në Tiranë në valën e parë të pandemisë, por në datën 15 shkurt Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vendosi t’i zgjeronte trajtimet për pacientët edhe në spitalet rajonale.
Sipas një raporti të fundit nga Shoqata “Together For Life”, ka rezultuar se spitale rajonale nuk kanë qenë të përshtatshëm për trajtimin e Covid-19 për shkak të mungesës së pajisjeve mjekësore dhe mjekëve specialistë.
Shoqata TFL bëri një monitorim në 11 spitale rajonale: Spitali i Beratit, Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Kukësit, Korçës, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.
Gjetjet treguan se spitalet rajonale në përgjithësi ishin të papërgatitura menaxhimin e rasteve me COVID-19, për shkak të pamjaftueshmërisë së burimeve njerëzore; kapaciteteve infrastrukturore; numrit të kufizuar të pajisjeve të terapisë intensive dhe respiratorëve; protokolleve të trajtimit etj.
Sipas raportit spitali i Elbasanit dhe Beratit, kanë pasur probleme me aparatet e monitorimit, pulsoksimetrat, pajisjet thithëse dhe ventilatorët. Spitali i Fierit ka pasur probleme me aparatet e monitorimit, pulsoksimetrat, koncentruesti e oksigjenit dhe pajisjet thithëse, ndërsa spitali i Dibrës ka patur mungesë në fonde, mungesë trajnimi të stafit për përdorim të pajisjes ose ka pajisje që duhet të rregullohen.
Sipas të dhënave, spitali me më shumë specialist rezulton të jetë ai i Durrësit, ndërsa me më pak janë spitalet e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës. Spitalet e Kukësit dhe Gjirokastrës kanë mungesë të mjekut infeksionist. Spitalet e Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit kanë vetëm një pneumolog dhe një reanimator, çka e bën të vështirë përkujdesjen e specializuar. Gjetjet kanë treguar gjithashtu se spitalet rajonale nuk kanë pasur një protokoll të unifikuar për të parandaluar përhapjen e infeksionit mes pacientëve dhe stafit shëndetësor.
“Vetëm pesë spitale kanë marrë masat për ambiente të ndara për stafin mjekësor dhe pacientët”, thuhet më tej në raport.
Respiratorët mekanik të lëvizshëm që zakonisht përdoren për transportin e pacientëve drejt spitaleve të referimit Covid-19, janë në mungesë në spitalet e Lezhës, Dibrës dhe Gjirokastrës. Është konstatuar se respiratorët janë vetëm në 5 spitale rajonale.
“Mungesa e ventilatorëve të lëvizshëm e bën të vështirë transferimin e pacientëve në gjendje kritike, çka bën që këto spitale, të cilët janë të planifikuar për pavijon COVID, të nisin drejt spitaleve COVID në Tiranë çdo pacient që paraqitet pranë tyre, pavarësisht nga stadi i prekjes së mushkërisë,”thuhet më tej në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje