Vrasësi i deputetit britanik David Amess, quhet Ali Harbi Ali, ai është 25 vjeç dhe është një shtetas britanik me origjinë somaleze.
Babai i tij, Harbi Ali Kullane ishte anëtar i qeverisë në Mogadishu, një ish-këshilltar komunikimi i kryeministrit lokal, i cili konfirmoi arrestimin e djalit të tij për gazetarët britanikë.
“Unë jam shumë i traumatizuar, – tha ai për gazetën “Sunday Times”. – Unë kurrë nuk e imagjinoja një gjë t tillë”. Sipas “Mail on Sunday”, i riu ndodhet në paraburgim që nga e premtja, por ndaj tij nuk është bërë ende një akuzë.
Hetuesit e Scotland Yard po e pyesin për të kuptuar çdo lidhje me grupet radikale islamike dhe mund të ngrenë një akuzë ndaj tij deri më 22 tetor në bazë të “Terrorism Act”.
Mediat britanike raportojnë se i riu dyshohet që e ka planifikuar sulmin prej më shumë se një jave, duke prenotuar një vend në takimin elektoral në 15 tetor me votuesit, ku ai shkoi me tren.
Pastaj 25-vjeçari e goditi me thikë deputetin konservator 17 herë në stomak, duke i shkaktuar plagë të rënda, që sollën vdekjen e tij pa mbërritur në spital.
Agresori u rreshtua me votuesit e tjerë, por kur doli para Amess, ai nxori një thikë dhe e goditi në mënyrë të përsëritur. Pas kësaj, i riu nuk u përpoq të sulmonte askënd tjetër, por mbeti në kishë në heshtje, duke pritur që policia të vinte dhe ta arrestonte.
Në të kaluarën, Ali Harbi Ali, ka jetuar në zonën elektorale të Amess, në Southend West, Essex, por ishte transferuar në Londrën Veriore, në një rrugë ekskluzive jo shumë larg shtëpisë së udhëheqësit të laburistëve, Keir Starmer.
Familja e tij jeton në një shtëpi në Camden, ku kanë marrë me qira dy katet e para të banesës dhe ku vrasësi u rrit me vëllezërit e tij.
“Ne kemi jetuar këtu për njëzet vjet dhe ata kanë qenë gjithmonë aty, pasi fëmijët ishin shumë të vegjël”, – tha një fqinj për “Daily Mail”.
“Me sa di unë, ata ishin një familje e mirë. Shumë kohë më parë pati një aksident ku u përfshi njëri nga vëllezërit dhe policia, por asgjë së fundmi. Pastaj ne pamë oficerët që vinin dhe shkonin gjithë ditën, ata kontrolluan shtëpinë me kujdes dhe madje shkuan në kopshtin e pasmë në rast se diçka hidhej nga dritaret”.
Sipas burimeve në gazetat britanike, Ali nuk kishte qenë kurrë një “subjekt i interesit” për shërbimet e Mi5, por në të kaluarën ai ishte përfshirë në “Prevent”, programi qeveritar për parandalimin e ekstremizmit, duke u konsideruar si një person që duhet t’i nënshtrohej rrezikut të radikalizimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




