Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka vendosur që të thërrasë më 26 shtator mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve për të shqyrtuar nismën e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës, e pagëzuar ndryshe si “Vettingu në politikë”.
Burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur se kryeparlamentari ka urdhëruar që të thërrasë në datën 26 shtator në orën 12:00 Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve. Kjo mbledhje, sipas Rregullores së Kuvendit, drejtohet nga kryeparlamentari Ruçi.
Me këtë lëvizje që ngjan si tërheqje të maxhorancës për të zbutur qëndrimet dhe për të thyer bojkotin e PD-së në Parlament, duket është vendosur pas konsultave që Rama dhe Ruçi zhvilluan paradite në zyrën e kryeparlamentarit, duke pranuar kërkesën publike të kryedemokratit Lulzim Basha për futjen në axhendën e punimeve të nismës së firmosur nga 44 deputetët për ndryshimin e Kushtetutës.
Pavarësisht se PD-ja, nëpërmjet kryedemokratit Basha kishte kërkuar mbledhja të mbahet të premten me datë 21 shtator, përballja mes mazhorancës dhe opozitës do të ndodhë të mërkurën e ardhshme, më 26 shtator.
Sipas Rregullores, në mbledhjen që pritet të drejtohet nga Ruçi duhet të përzgjidhen dy relatorët e nismës, si dhe do të përcaktohen rruga që do të ndiqet për hartimin e raportit të posaçëm, koha dhe afati. Gjithashtu në bazë të Rregullores mund të vendoset nëse duhet të zhvillohen seanca publike me ekspertë, juristë apo konstitucionalistë në lidhje me këtë nismë.
Në datë 7 shtator, PD depozitoi projektligjin në Kuvend, që synon ndryshimin e Kushtetutës, por shumica e ka kundërshtuar. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka sqaruar ditët e fundit 5 rregullat sipas tij për realizimin e vettingut në politikë: 1. Vetingun e politikanëve nuk do ta bëjë politika, nuk do ta bëjë Kuvendi; 2. Struktura e vetingut do të përbëhet nga profesionistë të pavarur nga politika; 3. Vetingu i politikanëve do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare; 4. Vetingu i politikanëve do të jetë krejtësisht i pavarur nga ai i drejtësisë; 5. Vetingu i politikanëve do të jetë i thjeshtë dhe transparent si dekriminalizimi, që nxori nga Kuvendi dhe zyrat e shtetit 333 persona me të kaluar kriminale.
Kryeministri Edi Rama ka parlajmëruar se fillimisht nisma e PD-së do të dërgohet në Komisionin e Venecias për dhënie ekspertize.
Por ideja e maxhorancës për ta dërguar draftin për ekspertizë ndërkombëtare është kontestuar me forcë nga ana e kryedemokratit Basha, pasi e cilëson si një manovër të socialistëve për ta zvarritur dhe çuar në kalendat greke nismën për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit shqiptar dhe realizimin e Vettingut në Kushtetutë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.