Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik në faqen e vet rekomandojnë se sa më herët të fillohet zbatimi i praktikave të rekomanduara të ushqyerjes, aq më i shëndetshëm do të jetë individi gjatë gjithë jetës.
Sipas OBSH: Ushqyerja është sasia e ushqimit të marrë për furnizimin me materiale ndërtuese dhe burime energjie të nevojshme për funksionimin normal te organizmit human. Ushqyerja e ekuilibruar dhe e përshtatshme e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, janë guri i themelit për një shëndet të mirë dhe njëherësh mjete shumë efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve dhe për trajtimin e disa të tjerave. Sigurimi i një ushqyerje të shëndetshme dhe të sigurt gjatë viteve të para të jetës ka përfitime për gjithë jetën.
Kequshqyerja ndodh kur trupi nuk merr sasinë e nevojshme të energjisë (kalorive), proteinave, karbohidrateve, yndyrnave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin dhe për funksionimin e mirë të tij. Kequshqyerja tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël është një faktor kyç themelor jo vetëm për vdekshmërinë foshnjore dhe fëminore, por ndikon edhe tek zhvillimi fizik dhe mendor në moshë shumë të re. Ushqyerja e pakët mund të cojë në ulje të imunitetit dhe rritjen e mundësisë për t’u sëmurë, zhvillim të dobët fizik dhe mendor, ulje të produktivitetit dhe përqendrimit në shkollë, prishje të dhëmbëve etj… Rreth 20% e vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjec në të gjithë botën mund të evitohet nga zbatimi korrekt në praktikë i udhëzuesve të
ushqyerjes sipas OBSH.
Njohuritë e sotme shkencore evidentojnë lidhjen mes kequshqyerjes dhe disa patologjive si tumoret, sëmundjen ishemike të aparatit kardio-vaskular dhe cerebro-vaskular, diabetit melit tip 2, artrozave, osteoporozes, litiazes biliare, kariesit dentar, gushës jodike dhe anemisë sideropenike nga ulja e marrjes së hekurit. Në vitet e fundit vihet re rritja drastike e obezitetit dhe marrja e një diete ushqimore gjithnjë e më hiperkalorike. Gratë shtatzëna me kequshqyerje kanë rrezikshmëri më të lartë për të dështuar, ose për lindur një foshnje me peshë të vogël lindjeje. Ushqim i mirë midis grave, shoqëruar me përmirësimin e njohurive mbi ushqimin dhe të ushqyerit, qëndrimet dhe praktikat nga gratë, vajzat dhe anëtarët e tjerë të komunitetit lidhur me ushqimin dhe ushqyerjen e shëndetëshme, ndikojnë në fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore, zvogëlimin e vdekshmërisë foshnjore dhe sëmundshmërisë në mënyrë të konsiderueshme, përmirësimin e shëndetit të nënës dhe të luajnë një rol vendimtar në parandalimin e
sëmundjeve.
Mbiushqyerje konsiderohet kur një person është mbipeshë ose i dhjamosur. Kjo mund të shkaktojë diabet në fëmijëri dhe sëmundje të zemrës, të vazave të gjakut dhe sëmundje të tjera në moshë më të rritur. Ndodh shpesh që fëmijët të marrin sasi të mëdha të ushqimeve hiperenergjike, por të varfra në elementët e domosdoshëm ushqyes, psh pije të ëmbëlsuara artificialisht, ëmbëlsira, patatina, të skuqura, fast-food etj.. Në këto raste përmirësimi i dietës së fëmijës është i domosdoshëm dhe duhet të shoqërohet me shtimin e aktivitetit fizik.
Cilat janë problemet shëndetësore që lidhen me ushqyerjen në Shqipëri?
Studimi i fundit Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri 2008-09 tregoi se situata karakterizohet nga një kombinim i 1) niveleve në rritje të mbiushqyerjes – sidomos mes grupeve urbane tek të cilat konsumi i ushqimeve të përpunuara po rritet, ndërkohë që aktiviteti fizik vjen në ulje – dhe 2) nënushqyerjes së theksuar mes grupeve të brishta si femrat shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël në zonat e largëta ku sigurimi i ushqimit është i kufizuar dhe mundësitë për të siguruar jetesën janë të pakta. Për shkak të kequshqyerjes:
– Në Shqipëri, 19% e fëmijëve nën 5 vjec paraqiten të shkurtër për moshën dhe rreth 11% janë shumë të shkurtër. Më e shprehur është tek foshnjat 0-6 muajsh e në zonat malore dhe te nënat pa arësim ku niveli arrin rreth 30%. (ADHS)
– 17% e fëmijëve nën 5 vjec dhe 19% e grave paraqesin anemi të shkallëve të ndryshme. Shkak i saj është ushqyerja e pakët me ushqime që përmbajnë hekur, folate, vit B12 etj.. (ADHS)
– Për foshnjat 0- 6 muajsh: vetëm 39% e fëmijëve janë ushqyer ekskluzivisht me gji dhe 21% kanë marrë ushqime plotësuese, të cilat nuk këshillohet të futen në këtë moshë.
– Fëmijët ushqehen me gji për një periudhë mesatare prej 14,6 muaj, megjithatë, fëmijët ushqehen ekskluzivisht me gji vetëm për 2 muaj.
– Vetëm 54% e fëmijëve të moshës 6-9 muaj konsumojnë ushqime të buta ose të forta.
– 39% e femrave 15-49 janë mbipeshë apo obeze.
– 20% e grave dhe 28% e burrave kanë tension të lartë gjaku ose marrin barna antihipertensive
– 79% e grave dhe 90% e burrave me hipertension nuk janë në dijeni të këtij fakti
Dymbëdhjetë hapat e ushqyerjes së shëndetshme:
– Konsumo një dietë ushqyese të bazuar në ushqime të ndryshme me origjinë kryesisht bimore se sa shtazore.
– Konsumo bukë, drithëra, oriz, ose patate disa herë në ditë.
– Konsumo varietete zarzavatesh e frutash disa herë në ditë (së paku 400 gr në ditë), mundësisht të freskëta dhe të prodhuara lokalisht.
– Mbaj peshën trupore në limitet e rekomanduara (një BMI të 20-252) duke mbajtur nivele të moderuara të aktivitetit fizik, çdo ditë.
– Mbaj nën kontroll konsumin e yndyrnave (jo më shumë se 30% të energjisë ditore) dhe zëvendëso yndyrnat më të saturuara me vajrat vegjetale të pasaturuara ose margarina të lehta.
– Zëvendëso mishin me dhjamë dhe prodhimet e mishit me bizele, bishtajore, thierza, peshk, pulë ose mish pa dhjamë.
– Përdor qumësht dhe nënproduktet e tij (qumësht të prerë, salcë kosi, kos dhe djathë) që kanë sasi të pakta yndyre dhe kripe.
– Zgjidh ushqime që janë më përmbajtje të pakët sheqeri dhe konsumo sheqer të përpunuar dhe me kursim, duke limituar frekuencën e pijeve me sheqer dhe ëmbëlsirave.
– Zgjidh një dietë me sasi të pakët kripe. Konsumi total i kripës nuk duhet të jetë më shumë se një lugë çaji (6 gr) në ditë, duke përfshirë kripën në bukë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje