Bota

Bill Klinton shtrohet në spital për një infeksion të dyshuar në gjak

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, 75 vjeç, është shtruar në spital. Ai është futur në kujdes intensiv për trajtimin e një infeksioni të dyshuar të gjakut që nuk lidhet me Covid 19.

Klinton u dërgua në Kaliforni, në qendrën mjekësore “Irvin”, rreth gjashtëdhjetë kilometra larg Los Anxhelesit. Shtypi ndërkombëtar raporton se ai ndodhet në gjendje të mirë.

Presidenti i 42-të amerikan, ka qenë në detyrë nga viti 1993 deri në 2001-in dhe në moshën 46 vjeç, ai ishte presidenti më i ri i zgjedhur ndonjëherë. Në vitin 2010, Klinton kreu një ndërhyrje për një angioplastikë.

“Ish-Presidenti Clinton u pranua në Qendrën Mjekësore UCI të martën në mbrëmje për të marrë trajtim për një infeksion që nuk lidhet me Covid. Ai është në një humor të mirë dhe është tepër mirënjohës ndaj mjekëve, infermierëve dhe stafit që i japin atij kujdes të shkëlqyeshëm”, – shkroi në Twitter zëdhënësi i Bill Klinton, Angel Urena.

Vendimi për të shtruar në spital Klinton, raporton CNN, erdhi për shkak të një infeksioni të traktit urinar, të trajtuar me antibiotikë.

“Do të qëndrojë në spital për qenë nën vëzhgim”, bëhet me dije sipas një shënimi të lëshuar të enjten në mbrëmje nga kreu i departamentit të mjekësisë, Alpesh Amin dhe mjekja personale e Klinton, Lisa Bardack, të cilët specifikojnë se zgjedhja e pranimit në njësinë e kujdesit intensiv, u bë si për sigurinë, ashtu edhe për garantimin e privatësisë.

Mjekët shpresojnë se ish-presidenti do të jetë në gjendje të kthehet në shtëpi së shpejti, pasi “pas dy ditësh trajtimi, qelizat e bardha të gjakut po bien dhe ai po i përgjigjet mirë antibiotikëve”.

Klinton, i cili ishte në Kaliforni për një ngjarje private, iu nënshtrua një operacioni katërfish të anashkalimit të arteries koronare në vitin 2004 dhe gjashtë vjet më vonë kreu një operacion tjetër për të futur dy stenda në një arterie. Ish-presidenti ishte shtruar në spital dhe ishte operuar urgjentisht në “Columbia Presbyterian Hospital”.

Klinton iu ishte përgjigjur problemeve shëndetësore me një mënyrë jetese më pak sedentare, dhe me një dietë kryesisht vegane, tha agjencia “Associated Press”, duke rezultuar në një rënie në peshë dhe përmirësimin e kushteve shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë