Çrregullimet mendore të diagnostikuara, duke përfshirë ADHD-në, ankthin, autizmin, çrregullimin bipolar, çrregullimet e sjelljes, depresionin, çrregullimet e të ngrënit, aftësitë e kufizuara intelektuale dhe skizofreninë, mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin, arsimimin, rezultatet jetësore dhe aftësinë për të fituar të ardhura të fëmijëve dhe të rinjve.
Diçka e tillë është tepër e prekshme edhe për Shqipërinë, siç pohojnë specialistë të shëndetit mendor dhe përfaqësues të UNICEF.
Sipas studimit të bërë në Shqipëri (Sjelljet lidhur me Shëndetin e Fëmijëve ne Moshën Shkollore) 2017-18, një përqindje e konsiderueshme e këtyre fëmijëve, raportuan se ndihen të irrituar të paktën një herë në muaj, ose janë nervozë dhe raportojnë çrregullime të gjumit.
Më të prekur fëmijët dhe vajzat në moshë më të madhe
Fëmijët dhe vajzat më të mëdha raportojnë një nivel më të lartë të çrregullimeve të shëndetit mendor. Adoleshentët shpesh raportojnë se ndihen nervozë (18 përqind), temperament të veshtirë (20 përqind) dhe dhimbje koke dhe vështirësi për të fjetur (15 përqind).
COVID-19 ka nxjerrë në pah shëndetin mendor si një rrezik të rëndësishëm i cili po zhvilloht më tej, e me të cilin po përballen adoleshentët edhe në Shqipëri. Kur fëmijët përjetojnë fatkeqësi të forta, të shpeshta ose të zgjatura pa mbështetjen e duhur të ndonjë specialisti, kjo mund të ketë pasoja negative serioze dhe të qëndrueshme në zhvillimin kognitiv (ndryshe procesi i të menduarit tek fëmijët) dhe rregullimin emocional, që potencialisht mund të ketë ndikim gjatë gjithë jetës në shëndetin mendor dhe fizik të fëmijës.
“Kanë qenë 18 muaj shumë, shumë të gjatë për të gjithë ne – veçanërisht për fëmijët. Për shkak të mbylljes dhe kufizimeve të lidhura me kufizimet e lëvizjes, fëmijët kanë kaluar vite të pashlyeshme të jetëve të tyre larg nga familja, miqtë, klasat, loja – elemente themelore të vetë fëmijërisë,” – u shpreh Henrietta Fore, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it.
Sipas saj, “Ndikimi është i konsiderueshëm dhe është vetëm maja e ajsbergut.”
“Edhe përpara pandemisë, shumë fëmijë mbartnin barrën e problematikave të patrajtuara të shëndetit mendor. Investimet e qeverive për t’i trajtuar këto nevoja kritike janë shumë të pakta. Nuk po i kushtohet rëndësi e mjaftueshme marrëdhënies midis shëndetit mendor dhe rezultateve jetësore për të ardhmen.”
Shqipëria pa të dhëna të sakta
Ky ndikim sipas specialistes sigurisht ndikon drejtpërdrejt edhe në ekonominë e vendeve, edhe pse në vendin tonë mungojnë të dhënat e sakta dhe “Ekziston një hendek njohurish mbi gjendjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri.”
“Në Shqipëri nuk kemi të dhëna të sakta përsa i përket numrit të fëmijëve dhe të rinjve të prekur nga shëndeti mendor, por mund ta themi me siguri se ky numër është rritur gjatë pandemisë dhe se pasojat e saj do të ndjehen gjatë edhe më tutje”, – pohon psikologia Andia Meksi.
Ndikimi në ekonomitë e botës
Ndërsa ndikimi në jetët e fëmijëve është i pallogaritshëm, një analizë e re nga Universiteti i Ekonomisë në Londër në një raport tregon se kontributi i humbur i ekonomive për shkak të çrregullimeve mendore që çojnë në aftësi të kufizuara ose vdekje mes të rinjve vlerësohet të jetë rreth 390 miliardë dollarë amerikanë në vit.
Sipas raportit Gjendja e Fëmijëve në Botë 2021: Në mendjen time: promovimi, mbrojtja dhe kujdesi për shëndetin mendor të fëmijëve – vështrimit më gjithëpërfshirës të UNICEF-it në shëndetin mendor të fëmijëve, adoleshentëve dhe kujdestarëve në shekullin e 21-të – edhe përpara COVID-19-ës, fëmijët dhe të rinjtë mbanin barrën e sëmundjeve të shëndetit mendor pa shumë investime për trajtimin e tyre.
Ndikimi i COVID-19-ës te shëndeti mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve mund të vijojë për shumë vite, paralajmëroi UNICEF-i në raportin e tij nismëtar.
Sipas raportit Gjendja e Fëmijëve në Botë 2021: Në mendjen time: promovimi, mbrojtja dhe kujdesi për shëndetin mendor të fëmijëve – vështrimit më gjithëpërfshirës të UNICEF-it në shëndetin mendor të fëmijëve, adoleshentëve dhe kujdestarëve në shekullin e 21-të – edhe përpara COVID-19-ës, fëmijët dhe të rinjtë mbanin barrën e sëmundjeve të shëndetit mendor pa shumë investime për trajtimin e tyre.
Sipas vlerësimeve më të fundit në dispozicion, më shumë se 1 në 7 adoleshentë të moshës 10-19 vjeç jetojnë me një çrregullim mendor të diagnostikuar në nivel global. Rreth 46,000 adoleshentë vdesin çdo vit nga vetëvrasja, që është një ndër pesë shkaqet kryesore të vdekjes për këtë grupmoshë. Ndërkohë, ekzistojnë hendeqe të mëdha midis nevojave të shëndetit mendor dhe financimit për shëndetin mendor. Raporti zbulon se vetëm rreth 2% e buxhetit për shëndetësinë të qeverive u caktohet shpenzimeve për shëndetin mendor në nivel global.
Shëndeti mendor i fëmijëve gjatë COVID-19
Vërtet që pandemia ka bërë të sajën. Sipas zbulimeve të hershme nga një anketë ndërkombëtare për fëmijët dhe të rriturit e zhvilluar nga UNICEF-i dhe Gallup-i në 21 vende – e përmendur në raportin ‘Gjendja e Fëmijëve në Botë 2021’ – mesatarisht, 1 në 5 të rinj të anketuar të moshës 15-24 vjeç shpreheshin se shpesh ndiheshin të dëshpëruar ose kishin pak interes për të bërë gjëra.
Teksa COVID-19-a hyn në vitin e tij të tretë, ndikimi mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve vazhdon të jetë një barrë e rëndë. Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion të UNICEF-it, të paktën 1 në 7 fëmijë në nivel global është prekur drejtpërdrejt nga izolimi, ndërsa mbi 1.6 miliardë fëmijë kanë vuajtur nga mungesa e arsimit. Prishja e rutinës, arsimit, argëtimit, si dhe shqetësimi për të ardhurat dhe shëndetin e familjes ka bërë që shumë të rinj të ndihen të frikësuar, të zemëruar dhe të shqetësuar për të ardhmen e tyre. Për shembull, një anketë online në Kinë, në fillim të vitit 2020, citoi raportin ‘Gjendja e Fëmijëve në Botë’, duke treguar se rreth një e treta e të anketuarve ndiheshin të frikësuar ose në ankth.
Çfarë është bërë në Shqipëri?
Sipas përfaqësuesve të UNICEF në vendin tonë, “UNICEF Shqipëri ofroi mbështetjen nëpërmjet shtimit të stafit – një ekip psikologësh profesionistë” – për të ofruar këshillim psikologjik online 24/7 për fëmijët, prindërit dhe kujdestarët e tyre, veçanërisht ata në rrezik dhune/dhuna me baze gjinore dhe profesionistëve të mbrojtjes në vijën e parë nëpërmjet platformës ekzistuese www. nukjevetem.al; forcimit të kapaciteteve operacionale të telefonit të ndihmës për fëmijë ALO 116 për të trajtuar mbështetjen në situatën e mbylljes dhe për t’u përballur me numrin e shtuar të telefonatave nga fëmijët; riaftësimi i stafit të Linjës Telefonike Kombëtare të Ndihmës, si dhe platformës së këshillimit NJV për përballimin e rasteve të zbutjes së rrezikut dhe referimit të të mbijetuarve, duke përfshirë mbrojtjen nga shfrytëzimi seksual dhe abuzimi; këshillimin dhe informacionin e përshtatshëm për COVID-19-ën për fëmijët, të rinjtë dhe prindërit; përshtatjes së shërbimeve aktuale për fëmijët në konflikt ose në kontakt me ligjin në situatën e kufizimeve dhe distancimit fizik me qëllimin për të siguruar vazhdimësinë e kujdesit dhe zbatimit të planeve individuale të trajtimit.
“UNICEF ka mbështetur zhvillimin e kapaciteteve për 160 persona nga personelit shëndetësor në shërbimet parandaluese të shëndetit të nënës dhe fëmijës në 4 rajone (Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë). Një modul specifik mbi mirëqenien e prindërve është pjesë e kurrikulave të akredituara të trajnimit të personelit që ofron vizita në shtëpi. Si një profesionist i besuar, personeli shëndetësor që kryen vizita ne shtëpi, njihet njëkohësisht edhe me nevojat e shëndetit mendor të një gruaje shtatzënë, nënës së re ose babait dhe i siguron këshilla dhe mbështetje, si dhe identifikon ata që kanë nevojë për ndihmë profesionale dhe i referon ata tek shërbimet e duhura.”,- vëren përfaqësuesja e UNICEF.
Kostoja për shoqërinë
Raporti vëren se kombinimi i gjenetikës, përvojës dhe faktorëve mjedisorë që në ditët më të hershme, duke përfshirë prindërimin, shkollimin, cilësinë e marrëdhënieve, ekspozimin ndaj dhunës ose abuzimit, diskriminimin, varfërinë, krizat humanitare dhe emergjencat shëndetësore si COVID-19-a i japin formë dhe ndikojnë shëndetin mendor të fëmijëve gjatë jetës së tyre.
Ndonëse faktorët mbrojtës si kujdestarët e dashur, mjediset e sigurta shkollore dhe marrëdhëniet pozitive me bashkëmoshatarët mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjeve mendore, raporti paralajmëron se vështirësi serioze si stigma dhe mungesa e financimeve po pengojnë për shumë fëmijë të pasurin e shëndetit mendor pozitiv ose aksesimin e mbështetjen për të cilën kanë nevojë.
Gjendja e Fëmijëve në Botë 2021 u bën thirrje qeverive dhe partnerëve të sektorit privat që të angazhohen, komunikojnë dhe veprojnë për të promovuar shëndetin mendor të të gjithë fëmijëve, adoleshentëve dhe kujdestarëve; për t’i mbrojtur ata që kanë nevojë për ndihmë dhe për t’u kujdesur për më të cenueshmit, duke përfshirë:
Investimin urgjent për shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në të gjithë sektorët, jo vetëm në shëndetësi, për të mbështetur një qasje të të gjithë shoqërisë ndaj parandalimit, promovimit dhe kujdesit.
Integrimin dhe shkallëzimin e ndërhyrjeve të bazuara në prova në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale, duke përfshirë programet e prindërimit që promovojnë kujdestari të përgjegjshme dhe edukuese dhe mbështesin shëndetin mendor të prindërve dhe kujdestarëve, si dhe duke siguruar përkrahjen e shëndetit mendor në shkolla nëpërmjet shërbimeve cilësore dhe marrëdhënieve pozitive.
Thyerjen e heshtjes që rrethon sëmundjet mendore nëpërmjet trajtimit të stigmës dhe promovimit të të kuptuarit më të mirë të shëndetit mendor dhe marrjen seriozisht të përvojave të fëmijëve dhe të rinjve.
“Shëndeti mendor është pjesë e shëndetit fizik- nuk mund të vazhdojmë ta shohim ndryshe,” shprehet Fore.
“Për shumë kohë, si në vendet e pasura, edhe në ato të varfrat, kemi parë se sa pak kuptohet dhe investohet për këtë element kritik të maksimizimit të potencialit të çdo fëmije. Kjo duhet të ndryshojë”. Blerina Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje