Shendet

Implanti i trurit mund të trajtojë depresionin më të rëndë

Një implant elektrik që vendoset në kafkë dhe lidhet me trurin mund të zbulojë dhe trajtojë depresionin e rëndë, sipas shkencëtarëve amerikanë që panë rezultate tek një pacient. Pajisja me madhësinë e kutisë së shkrepëseve qëndron gjithmonë “ndezur”, e jep një impuls kur ndjen se pacienti është duke kalua në gjendje shqetësuese mendore.

Studimi eksperimental u shkrua në revistën “Nature Medicine”. Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë, San Francisko, theksojnë se është shumë shpejt për të thënë nëse mund të ndihmojë pacientët e tjerë me depresion të vështirë për t’u trajtuar, por ata janë optimistë dhe do të punojnë për më shumë prova.

Sara, një vajzë 36 vjeç, e ka vendosur pajisjen një vit më parë dhe thotë se i ka ndryshuar jetën. Sara është personi i parë që ka pasur terapi eksperimentale. Ajo kishte pasur një sërë trajtimesh të dështuara, duke përfshirë ilaçet kundër depresionit dhe terapinë elektrokonvulsive në vitet e fundit. Kirurgjia mund të duket e frikshme, por Sara tha se perspektiva për të fituar “çdo lloj lehtësimi” ishte më e mirë se errësira që ajo kishte përjetuar.

“I kisha shteruar të gjitha opsionet e mundshme të trajtimit. Jeta ime në përditshmëri ishte bërë kaq e kufizuar. Ndihesha e torturuar çdo ditë,” shpjegoi Sara.

Operacioni përfshinte shpimin e vrimave të vogla në kafkën e saj për të përshtatur telat që do të monitoronin dhe stimulonin trurin e saj. Pajisja që përmbante baterinë dhe gjeneratorin e pulsit, ishte futur në kockë, nën lëkurën e kokës dhe flokët e saj. Procedura zgjati një ditë dhe u bë nën anestezi të përgjithshme, që do të thotë se Sara ishte pa ndjenja gjatë gjithë kohës.

Sara thotë se kur u zgjua nuk ndjente asgjë.

“Kur implanti u ndez për herë të parë, jeta ime mori një kthesë të menjëhershme. Brenda pak javësh, mendimet vetëvrasëse u zhdukën, “shtoi ajo.

Studiuesja Katherine Scangos, e cila është psikiatër në universitet, tha se risia u bë e mundur duke gjetur “qarqet e depresionit” në trurin e Sarës.

“Ne gjetëm një vendndodhje, e cila është një zonë e quajtur striatum ventral, ku stimulimi eliminonte vazhdimisht ndjenjat e saj të depresionit. Dhe ne gjithashtu gjetëm një zonë të aktivitetit të trurit në amygdala që mund të parashikonte kur simptomat e saj ishin më të rënda,” thotë ekspertja.

Shkencëtarët thonë se nevojiten shumë më tepër kërkime për të testuar terapinë eksperimentale dhe për të përcaktuar nëse mund të ndihmojë më shumë njerëz me depresion të rëndë dhe ndoshta edhe kushte të tjera.

Scangos, i cili ka regjistruar dy pacientë të tjerë në studim dhe shpreson të rekrutojë nëntë të tjerë

Edëard Chang, neurokirurgu që vendosi pajisjen, tha se është vetëm demonstrimi i parë i kësaj pune por do të duhen më shumë të dhëna për të parë rezultatet e kësaj terapie.

Burimi:BBC/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë