Ivan Balliu po kalon formën më të mirë sportive në karrierë dhe pritet që grumbullohet nga trajneri Edi Reja për dy ndeshjet e tetorit me Hungarinë dhe Poloninë. Italiani do të publikojë listën e të grumbulluarve për këto ndeshje kualifikuese ditën e shtunë dhe pjesë e saj, sipas të gjitha gjasave, do të jetë edhe lojtari i Rajo Valekanos në La Liga.
Në fakt, emri i Balliut ishte në listën e Rejës edhe për tri ndeshjet e shtatorit, por mbrojtësi i rritur në fidanishten e Barcelonës nuk u paraqit në Kombëtare për shkak të gjendjes shëndetësore, që ngriti dyshime, sepse ai luajti me skuadrën e tij në kampionat. Vetë Balliu sqaroi më tej se stafi mjekësor i Rajos e kishte këshilluar të mos sforcohej fizikisht. Tani çdo gjë është në rregull dhe pritet që mbrojtësi të jetë bashkë me kuqezinjtë javën e ardhshme.

Ivan Balliu është përzgjedhur edhe në formacionin më të mirë të javës së fundit në kampionatin spanjoll. Lojtari që ka nënshtetësi shqiptare dhe spanjolle, ishte ndër më të mirët në fitoren 3-1 ndaj Kadizit, ku dha edhe një asist për Radamel Falkaon. 29-vjeçari bënte pjesë në këtë formacion përkrah yjeve si Ansu Fati, Depai, Fekir dhe Kurtua.
Me ardhjen e Balliut, Reja do të “blindonte” krahët e mbrojtjes, ose më saktë të mesfushës me 5 lojtarë të skemës së tij tipike. Lojtari i Rajo Valekanos, ashtu si Hysaj, ka si pozicion natyral atë të mbrojtësit të krahut të djathtë, por përshtatet mirë edhe në të majtë. Gjithmonë nëse Balliu do të jetë pjesë e kuqezinjve, me shumë mundësi ai do të luajë në të djathtë dhe Hysaj në të majtë, ku po perfeksionohet edhe te Lacio.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




