Për herë të parë në Bundestagun gjerman do të ulet edhe një deputete shqiptare. Pas një fushate të sukseshme, Afërdita Suka u zgjodh të dielën si pjesë e parlamentit të ri gjerman, duke u ulur krah për krah me deputetët e tjerë të Të Gjelbërve.
Ajo garoi me Partinë e Gjelbër në Landin e Berlinit, me një platformë pro-emigracionit. Afërdita Suka kandidoi në një lagje që nuk është shumë e banuar nga shqiptarët. E prapë ajo u befasua me mbështetjen e madhe që i erdhi nga komuniteti shqiptar.
Suka është nga Kosova dhe për shumë vite ajo është angazhuar në Gjermani në mbështetje të emigrantëve, duke u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme.
Në një intervistë për mediat, ajo ka falenderuar shqiptarët për mbështetjen që i kanë ofruar në këtë garë.
“Kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe kanë besuar se do të fitoj. Kandidatura ime ka ndikuar shumë si mobilim i shqiptarëve, jo vetëm të shkojnë të votojnë por edhe të interesohen për politikën”, u shpreh ajo.

Suka renditi edhe çështjet me të cilat do të fokusohet puna e saj, si rritja e çmimeve të banesave, përmirësimi i cilësisë së arsimit, përmirësimi i shërbimit në shëndetësi, mbrojtja e ambientit dhe përfshirja e emigrantëve në politikë.
Partia e Afërdita Sukës është nga ato që ua hap rrugën migrantëve dhe nuk ngurron t’i vërë edhe në krye të listës. Për një kohë të gjatë ajo është drejtuar nga një gjerman me prejardhje turke, Cem Özdemir.
Një nga përkrahëset më të forta të Afërdita Sukës në këtë fushatë, është ish-ministrja e konsumatorëve në qeverinë e mëparshme të socialdemokratëve dhe të gjelbërve, Renate Künast, e cila kandidoi në të njëjtën zonë elektorale si Afërdita Suka, por për Parlamentin Federal. “Për mua Afërdita është Afërdita, e cila është angazhuar prej vitesh në politikat komunale të të Gjelbërve”, thotë Künast, e cila e ka mbështetur atë edhe me programe mentorimi. Për këtë angazhim Afërdita Suka u vlerësua në vitin 2015 edhe me çmimin Helene Weber, një shpërblim prej 10 000 euro për gratë që angazhohen në politikën komunale.
“Por fakti që ajo është nga Kosova, është simbolik”, thekson deputetja gjermane.
Ndryshe e shohin këtë shqiptarët në Berlin. Dr. Sahadete Limani-Beqa, komunikologe dhe menaxhere në klinikën kardiologjike, Herzpraxis Berlin Hohenschönhausen, sheh te Afërdita Suka një model për integrimin e shqiptarëve në shoqërinë gjermane. “Ajo na dëshmon se ne mund të jemi jo vetëm zbatues të politikave, por edhe vendimmarrës politikash nëse angazhohemi si qytetarë te këtij vendi”, thotë Dr. Limani-Beqa për DW. Ajo ka organizuar një sërë aktivitetesh në kuadër të fushatës elektorale të Afërdita Sukës. “Ne e mbështesim Afërditën edhe si një grua dhe nënë, sepse grate nuk janë ende të përfaqësuara si duhet në poste udhëheqëse”, thotë Dr. Limani-Beqa.

Pesë emra shqiptarësh garuan të dielën për të përfaqësuar zonat e tyre elektorale në Berlin, në Bundestag ose në Parlamentin e Berlinit.
Ndër ta ishte, Kastriot Krasniqi, një 29-vjeçar i lindur në Kosovë i cili kandidonte për partinë socialdemokrate (SPD), ku ka hyrë në moshën 14-vjeçare dhe sot është nënkryetar i degës së qytetit Bergisch Gladbach.
Kolë Gjoka, kandidoi po ashtu, për herë të dytë. Në zgjedhjet e vitit 2017 ai kishte qenë shqiptari i parë që kishte marrë guximin të ofrohej për të përfaqësuar në Berlin një elektorat gjerman. Tani ai është kryetar i degës së CDU-së në Elmshorn dhe sërish ka guxuar të kandidojë. Shanset që të fitojë këtë radhë ishin edhe më të pakta.
I lindur dhe i rritur në Mirditë, i shkolluar si ushtarak dhe inxhinier në Tiranë, 51-vjeçari e përshkruan veten si dikush që po pati një ide dhe nuk e lë pa e realizuar.
Një platoformë të ngjashme me Afërditën kishte edhe Sami Musa, i cili kandidoi në Hamburg në zgjedhjet për senatin, në shkurt të vitit 2020. Shqiptari me origjinë nga Kosova ka marrë votat e elektoratit shqiptar të zonës së Harburgut, por nuk ka arritur të bëhet në këto zgjedhje pjesë e Bundestangut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




