Atletike

Tërhiqet zyrtarisht mbretëresha botërore e maratonave, Mary Keitany

Mary Keitany, atletja më e madhe botërore e maratonave në 10-vjeçarin e fundit, është detyruar të thotë “Mjaft”. Një dëmtim në shpinë, nga i cili sportistja nga Kenia vuan që prej 2019-ës, nuk e ka lejuar të rikthehet dhe të stërvitet në nivele të larta.

“Ka ardhur momenti për t’i thënë lamtumirë sportit që kam dashur kaq shumë. Pas asaj 2019-e të suksesshme, ku arrita rezultate të mira, duke përfshirë edhe vendin e dytë në Nju Jork, shpresoja të isha ende kompetitive në nivel ndërkombëtar edhe për disa vite, edhe pse i kam kaluar të 30-at. Por dëmtimi në shpinë ka vendosur për mua, duke më imponuar tërheqjen”, – ka shkruar Keitany në profilin e saj në Instagram, ku bënte me dije tërheqjen zyrtare.

Mary Keitany gjate nje maratone. Gazeta Si, 25 shtator 2021

Sigurisht, nuk do të mungonin edhe falënderimet për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjithë këto vite: “Një udhëtim i gjatë ka përfunduar. Jam vërtet krenare për rrugëtimin që kam bërë dhe për mbështetjen tuaj kudo në botë ku kam garuar. Faleminderit!”

Mary Keitany që nga viti 2011 ka dominuar panoramën botërore të maratonave femërore, me 7 fitore në “Majors”. Në karrierë ka triumfuar 4 herë në Nju Jork (2014, 2015, 2016 dhe 2018) dhe tri në Londër (2011, 2012 dhe 2017). Ka tre vende të dyta, në Nju Jork (2017, 2019) dhe Londër (2015), si dhe dy vende të treta. Asnjë atlete dhe askush tjetër në botë nuk ka qenë kaq kompetitive sa ajo në cirkuitet e “Majors”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë