Shendet

Masat nuk ndryshojnë. Më pak janë vaksinuar pedagogët dhe edukatorët e kopshteve dhe çerdheve

Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i ndryshoi masat në vend, ndërsa situatën e Covid-19 e cilësoi të qëndryeshme. Theksi u vendos tek vaksinimi. Shefja e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi se mbulesën vaksinale më të lartë e kanë Bashkitë e Gjirokastrës dhe Delvinës, ndërsa bashkia e Durrësit, ka dalë nga zona e kuqe.

Gjithashtu, ajo tregoi se punonjësit shëndetësorë janë vaksinuar në pjesën më të madhe, ndërsa më pak janë pedagogët dhe edukatorët e kopshteve dhe çerdheve.

“Gjatë kësaj jave ka pasur një rritje të vaksinimit lidhur me dozat e dyta. Ka pasur edhe një përmirësim në mbulesën vaksinale në bashki të ndryshme. Në veri kemi 2 bashki me mbulesë vaksinale mjaft të mirë, është bashkia e Mirditës dhe Pukës. Hap pas hapi tregojmë që kalojmë në ngjyra të ndryshme që tregon dhe rritjen vaksinale. Nga ana tjetër, ajo që vihet re është që arsimtarët e shkollave të mesme kanë mbulesë më të mirë vaksinale se edukatorët dhe pedagogët. Ata me 2 doza shkojnë në 66% në krahasim me pjesën tjetër që është më i ulët”, tha Bino.

Sipas saj, përdorimi i vaksinës, është një indikator i performancës së kryerjes së vaksinimit është mbi 80% në të gjitha vaksinat. “Çdo vaksinë është përdorur konform të gjitha rregullave. Pra, ne nuk kemi humbje të vaksinës, vazhdojmë të punojmë me humbje zero të vaksinës. Kjo është një indikator që ne si vend jemi vlerësuar nga OBSH në lidhje me këtë aspakët. Sa i përket punonjësve shëndetësorë kemi mbulesë vaksinale të lartë, por kemi akoma nevojë për rritje të vaksinimit për të gjitha grupmoshat”, u shpreh Bino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë