Komunitet

“Më mirë e ndame se sa e vrame”, qytetarët protestojnë në Tiranë dhe Fier për Sabrina Bengajn

Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur ditën e sotme në Tiranë, përpara Ministrisë se Brendshme dhe në Fier për të protestuar për rastin e Sabrina Bengajt dhe grave të tjera që kanë rënë pre e dhunës së burrave në Shqipëri.

Me pankarta në duar që mbajnë mesazhe si “Më mirë e ndame sesa e vrame” qytetarët protestojnë sot për ndëshkimin e burrave dhunues dhe për një mbështetje më të madhe ndaj grave dhe vajzave.

Me qirinj, poshtë pankartës së saj edhe qytetarët e Fierit nderuan Sabrinën që iku në një moshë kaq të re.

Sabrina Bengaj u vra 5 ditë më parë nga ish-burri i saj Elton Meta, duke lënë pas një fëmijë të vogël. Meta u arratis menjëherë pas ngjarjes, por kjo arrati nuk i zgjati shumë.

 Ai u arrestua pas 3 orë ndjekjeje, i fshehur në një pyll në fshatin e tij në Peshtan të Fierit, ku iu gjet edhe arma e krimit. Edhe pse Meta terrorizoi për më shumë se 5 orë familjen Bengaj një vit më parë, nuk bëri asnjë ditë burg, pasi gjyqtari Piro Sota dhe prokurori Çlirim Sino, nuk e dënuan me asnjë ditë burg, por e shtruan në spitalin burg të Zaharisë.

Prej aty, vetëm pak muaj me vonë u nxor me argumentin se do të vazhdonte kurimin në shtëpi.

“Duam drejtësi, mbështetje familjeve të viktimave. Edhe sa vajza do vriten?”- thonë protestuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë