VADA (Agjencia Botërore e Antidopingut) do të bëjë një rishikim shkencor në lidhje me statusin e kanabisit, që gjithsesi do të mbetet substancë e ndaluar në 2022-shin. Iniciativa është marrë pas daljes pozitive të atletes amerikane Sha'Carri Riçardson, e cila u përjashtua nga Olimpiada e Tokios.
"Për shkak të disa kërkesave nga një numër palësh të interesuara, Komiteti Ekzekutiv ka aprovuar vendimin e grupit të ekspertëve që për listën e 2022-shit të ketë një rishikim shkencor të statusit të kanabisit", - ka konfirmuar VADA me një komunikatë zyrtare, duke saktësuar se "kanabisi është aktualiusht i ndaluar dhe do të vazhdojë të jetë në vitin 2022".
Rasti i Riçardson, një prej yjeve të atletikës, ka hapur një debat të madh në lidhje me këtë temë. Atletja 21-vjeçare e garave të shpejtësisë u përjashtua nga Lojërat Olimpike, pasi mori një pezullim prej 30 ditësh, për shkak se doli pozitive në një test marijuane, pas fitores në 100 metra gjatë provave olimpike të amerikaneve në qershor.
Personazhe të ndryshëm të sportit dhe shumë sportistë e kanë kritikuar rregullin si të panevojshëm. Kreu i “World Athletics”, Sebastian Coe, është mes atyre që kanë kërkuar rishikimin e rregullit për kanabisin. "Duhet të arsyetojmë, asgjë nuk është e skalitur në gur. Duhet të adaptohemi dhe të rishikojmë disa gjëra”, - ka thënë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.